Bashkia e Tiranës do të nisë në fillim të vitit të ardhshëm rehabilitimin e Kopshtit Zoologjik. Ka qënë vetë kreu i bashkisë Erion Veliaj që ka dhënë lajmin gjatë përurimit të dy rrugëve të reja në këtë zonë, “Alla” dhe “Shyqyri Brari”.

“Fillimisht do të bashkojmë Kopshtin Zoologjik me Kopshtin Botanik përmes një ‘tuneli’; pasi ta kemi shtuar këtë masë do ta bëjmë mjedisin e Kopshtit Zoologjik dhe Botanik në një ambient që i rikthehet qytetarëve. Kemi bërë disa riparime, Kopshti Zoologjik është më mirë sot për fëmijët, ka një pafundësi aktivitetesh, por imagjinoni sa i madh është potenciali në momentin që ne bëjmë edhe shtesën me Kopshtin Botanik”, shtoi kreu i Bashkisë së Tiranës.

Ai falënderoi në mënyrë të veçantë të gjithë banorët që treguan mirëkuptim për realizimin e këtij projekti, ndërsa kërkoi prej tyre që ta mirëmbajnë atë. Ndërkohë, ai tha se ky investim është vetëm një nga pjesët e projektit të Bashkisë së Tiranës për t’i dhuruar Tiranës rreth 200 rrugë të rikonstruktuara dhe të reja në vit.

“Kjo është pjesë e projektit për të rehabilituar 200 rrugë, pra është një buqetë rrugësh që po rehabilitohet në të gjithë Tiranën. Do ta vazhdojmë edhe për të kapur lagjen e fundit të Kopshtit Zoologjik, që është shumë afër majës së kodrës dhe për t’u siguruar që, ndodhi-ç’ndodhi me ish-komunën Farkë, Bashkia e re e Tiranës, që ka edhe Farkën brenda, të mos bëjë diferencime. Po punojmë nga ekstremi i Liqenit të Farkës e deri në ekstremin tjetër, që është në fakt kufiri mes Farkës dhe Selitës, edhe Kombinatit”, tha Veliaj.

Ai theksoi se dallimi mes qendrës dhe periferisë do të zbutet edhe më tej falë investimeve të shtuara që parashikon projektbuxheti i vitit 2018.

 

Top Channel