Në një mesazh televiziv drejtuar popullit grek, kryeministri Alexis Tsipras ka deklaruar se qeveria do t’u japë në fund të këtij viti të papunëve, pensionistëve dhe njerëzve në nevojë, një ndihmë sociale me vlerë prej 1.4 miliardë eurosh, dyfishi i shumës që është dhënë vjet në të njëjtën periudhë.

Nga kjo ndihmë përfitojnë edhe një pjesë e mirë e emigrantëve shqiptarë, që plotësojnë kriteret e vendosura.

“Nga kjo shumë prej 1.4 mld eurosh, 720 milionë euro do t’u shpërndahet në formën e ndihmës së jashtëzakonshme që do të jetë e patatuar 3.4 milionë qytetarëve”, tha Tsipras.

315 milionë të tjera do t’u jepen pensionistëve për tatimin e paligjshëm, që u është bërë ndaj kontributeve shëndetësore të 4 viteve të kaluara. Ndërsa 360 mln euro do t’i jepen Koorporatës Elektro-Energjitike (DEH), që të mbulojë koston e shërbimeve sociale, që deri tani përfshihej në faturat që paguanin nga të gjithë abonentët, me kusht që të mos ketë asnjë rritje të çmimit të energjisë.

Ndihmën do ta përfitojnë ata që plotësojnë këto kritere: Personat me të ardhura deri në 9.000 euro në vit do të marrin nga 250 deri në 450 euro. Çiftet pa fëmijë me të ardhura deri në 13.500 euro do të përfitojnë nga 375 deri në 675 euro. Ato me një fëmijë me të ardhura deri në 15.750 euro do të marrin nga 437 deri në 787 euro. Ndërsa familjet me dy fëmijë me të ardhura deri në 18.000 euro do të marrin nga 500 deri në 900 euro.

Tsipras dhe më pas ministri i Financave kanë deklaruar se shuma që shpërndahet ndaj njerëzve në nevojë është mbledhur si rezultat i luftës ndaj shmangies së taksave dhe realizimit të tepricës primare dhe objektivave ekonomike. Ndërsa opozita greke ka akuzuar kryeministrin grek, që nga një anë ka vendosur taksat më të mëdha në Europë, e nga ana tjetër shpërndan “thërrime” për të varfërit.

Top Channel