Zonë ekonomike në Kashar, projekti i bashkisë për të tërhequr investime

11/11/2017 13:53

Në Kashar do të ketë një zonë të lirë ekonomike për të cilën Bashkia e Tiranës do t’i kërkojë qeverisë që t’i japë statusin e zonës ekonomike.

Thënë ndryshe, në të gjithë hapësirën e kësaj zone investitorët do të duhet të negociojnë me Bashkinë e Tiranës dhe jo me pronarët e tokës.

“Po përgatisim të bëjmë një aplikim në qeverinë shqiptare për të na dhënë statusin e zonës ekonomike, e cila do të na bënte konkurrues bashkë me kryeqytetet e tjera të cilat i kanë krijuar këto hapësira, për të ftuar biznese të cilat nuk duan kokëçarjet e negociatave me dhjetëra pronarë apo pretendues të pronës, por duan që në një pronë tashmë të sqaruar nga qeveria apo Bashkia, të vendosin menjëherë një kapanon ku mund të kryejnë më pas biznesin e tyre dhe të fillojnë menjëherë prodhimin”, deklaroi kryetari i bashkisë, Erion Veliaj.

Pasi prezantoi proejtktet që e transformuan kryeqytetin shqiptar në forumin “Ditët e Investimeve” në Beograd, Veliaj ftoi kompanitë ndërkombëtare që të vijnë të investojnë në kryeqytetin shqiptar, pasi ofron shumë mundësi dhe lehtësira fiskale.

“Besoj se Tirana me mundësitë e reja që po ofron, me taksat e ulëta, ndoshta më të ulëtat sot në rajon nga secili prej kryeqyteteve të pranishëm, është vendi ideal për të investuar. Mesazhi që japim në këtë forum ballkanik të investimeve është që sot Tirana listohet për të gjitha këto arsye, duke nisur nga moti, tek mosha, tek taksat dhe tek talenti i njerëzve që duan të punojnë, si vendi ideal i investimeve në Ballkan”, tha Veliaj.

Top Channel