Demarkacioni, BE: Arbitrazhi nuk është zgjidhje

09/11/2017 10:40

Paralajmërimi i qeverisë kosovare se demarkacioni me Malin e Zi mund të përfundojë në Gjykatën e Arbitrazhit nuk e ka lëkundur Komisionin Europian.

Zyrtarë të institucionit europian, i cili vlerëson përmbushjen e kritereve që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave i kanë përmendur si të pandashme dy kriteret e mbetura, shkruan “Koha Ditore”.

“Komisioni pret përmbushjen e kritereve të vonuara të liberalizimit të vizave lidhur me regjistrin e të dhënave të dënimeve në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar të nivelit të lartë, si dhe ratifikimin e marrëveshjes kufitare me Malin e Zi. Ky duhet të jetë proces i vazhdueshëm”, ka thënë për gazetën, Kasia Kolanko, zyrtare për informim në KE, kur është pyetur nëse do të mbetet kriter ratifikimi i demarkacionit edhe pas një marrëveshjeje eventuale mes Kosovës dhe Malit të Zi, që kjo çështje të dërgohet në Arbitrazh.

“Kjo është e gjitha që mund të them”, ka shtuar Kolanko. Faktin që nuk do të ketë kompromis lidhur me kriteret që i janë vënë Kosovës e ka theksuar edhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean Hubert Lebet.

Top Channel