Debat për krimin e korrupsionin, Basha: Të ikë Rama. Balla i kthehet skandalit të “CEZ”

09/11/2017 17:19

Për Lulzim Bashën, tashmë krimi i organizuar, me bekimin e qeverisë, po merr në kontroll ekonominë e vendit.

“Nuk është rastësi që Saimir Tahiri paratë dhe dokumentet që s’donte t’ja kapte Prokuroria, ja dhe një biznesmeni, i cili me makinën e një biznesmeni tjetër i mori ato. Të dy kanë përfituar tenderë nga Saimir Tahiri. Nuk është rastësi që Qazim Sejdimi ka një agjenci doganore që po hetohet për trafik droge. Nuk është rastësi që Elvis Rroshi është ndërtuesi më i madh në zonën e Kavajës. Nuk është rastësi që Vangjush Dako është njëkohësisht kryebashkiak, biznesmen dhe kryekapo banda i Durrësit. Nuk është rastësi që familjarët e pushtetarëve, duke nisur nga i pari i qeverisë dhe me radhë, befas kanë pasion për bankat. Çdo gjë do të thellohet me projektin 1 mld. Një projekt kriminal që do të shkrijë në një krimin, biznesin dhe politikën”, tha Basha.

Për kryedemokratin, lufta kundër krimit te organizuar nuk mund te zgjidhet me strategji teknike.

“Çdo trajtim i problemit të krimit të organizuar në Shqipëri, thjeshtë si problem teknik, nuk e ndihmon vendin. Çdo strategji teknike për luftën kundër krimit do të jetë dështim i sigurt. Krimi në Shqipëri është problem politik dhe zgjidhja e tij mund të fillojë vetëm nga politika. Largimi i Ramës nga zyra do të jetë akti më i madh anti krim dhe anti mafie që ka ndërmarr Shqipëria”, tha Basha.

Në mungesë të Kryeministrit në sallë, Bashës ju përgjigj, Taulant Balla.

“Klement Balili, Lulëzim, t’i e di fare mirë, nuk ka lidhje me Partine Socialiste, është përfaqësues i LSI. Nipi i Klement Balilit është kryetar i Bashkisë Delvinë, i propozuar nga LSI. Mund ta pranonim përgjegjësinë kur ishim në koalicion me LSI, por nuk mund ta pranojmë sot. Nëse je burrë, Lulzim dil e thuaj kujt i takon, se të njëjtën gjë je duke bërë me Kapllanajn. Agron Kapllanaj hynë nën veprimin e ligjit të Dekriminalizimit. Nuk ka gjë që e shpëton. Po, e shpëtoi urdhri i Lulzim Bashës kundrejt Klement Zgurit. E si nuk ju vjen turp ju që vini nga mëngjesi në dark e na flisni për kriminel, kur krimineli partisë tuaj, qenka burrë i mirë. Elis Rroshi? po, ne e shkarkuam. Kryeministri e shkarkoi, bëni dhe ju si ne”, u shpreh Balla.

Top Channel