Me buxhetin e 2018 dhe programin “1 miliard euro” do të nisë modernizimi i rrjetit rrugor shqiptar sipas Edi Ramës. Kryeministri u takua me grupet e interesit, kompanitë dhe sipërmarrjet për buxhetin e rrugëve për vitin 2018.

“Ambicia jonë është që në këtë 4-vjeçar ne të bëjmë të mundur që akset tona kombëtare të kthehen të sigurta që garantojnë lëvizshmërinë dhe nuk kërcënojnë jetën e askujt. Ne kemi një buxhet 42 për qind më të lartë për financimin e infrastrukturës. 42 për qind më i lartë do të thotë jo pak, edhe pse nuk është i mjaftueshëm për të përfytyruar në një hark kohor për ndryshimin që duam, ama është i mjaftueshëm nëse projektet janë të duhura dhe nëse puna është e duhur që ne të hedhim hapa”, deklaroi Rama.

Shqetësimi kryesor i sipërmarrësve që merren me rrugët është procesi tenderimit, projketimet e gabuara dhe procedurat që shpeshherë, sipas tyre, janë të komplikuara.

Sipas Kryeministrit, Qeveria do të ndjekë një politikë më agresive për sistemimin e kontratave që të mos lënë hapësira për mashtrime.

Kreu i Ekzekutivit deklaroi se do të dërgohen përpara drejtësisë të gjithë zyrtarët e Autoritetit Rrugor Shqiptar që kanë abuzuar me ligjin për buxhetin.

“Ne kemi nisur procese penale për ata supervizorë dhe zyrtarë të përfshirë në këtë dëm ndaj buxhetit të shtetit dhe shkelje flagrante të ligjit të buxhetit te shtetit dhe do të vazhdojmë të çojmë para drejtësisë këdo prej tyre që ka marrë pjesë në këtë shkelje”, u shpreh Rama.

Top Channel