Koncesion me vendim qeverie, mbi 100 mln euro për energjinë

02/11/2017 15:22

Koncesionet me vlera të mëdha në energjetikë, që i kalojnë 100 milionë euro, do të jepen me procedura të lehtësuara dhe për këtë do të ndryshohet ligji në fuqi për partneritetin publik-privat.

Qeveria ka miratuar në mbledhjen e fundit disa rregullime ligjore, ku i përjashton këto investime nga rregullat që duhet të kalojnë normalisht koncesionet.

Shkaku kryesor janë procedurat e tejzgjatura kohore që duhet të kalojë një kontratë partneriteti publik-privat, më shumë se dy vjet.

Sipas relacionit shpjegues, mjaft investitorë janë tërhequr për shkak të afateve të tilla. Në kushtet kur edhe kriza e thatësirës po jep efekte të mëdha me kosto të larta që po shpenzohen për sigurimin e importeve të energjisë, ministria e Infrastrukturës është vënë në lëvizje për të tërhequr sipërmarrës që të ndërtojnë vepra të reja me fuqi të instaluar mbi 2 megavat, kryesisht hidrocentrale dhe termocentrale. Investime të tilla pritet të kalojnë rast pas rasti procedura ligjore më të lehtësuar, gjithsesi brenda kuadrit ligjor për koncesionet.

Top Channel