Mbreti i rekordeve, edhe dy Guinness të tjerë…

23/10/2017 23:00

Mbreti i rekordeve “Guinness”, Ashrita Furman, thotë se është i kënaqur me rezultatet e dy përpjekjeve të reja për të thyer rekord, me tematikë hallouini, pasi shkërmoqi 31 kunguj dhe kapi më shumë se 40 kokoshka të karamelizuara në fluturim në gojë, gjithçka brenda një minute.

Furman, nga Kuinsi në Nju Jork, theu rekordin e mbajtur prej vetë atij duke dyfishuar numrin e kungujve të shkërmoqur në një minutë, duke përdorur një çekiç.

“Vura re se fillova të godisja më fort dhe të goditja më mirë kungullin. Por, kryesisht e gjithë kjo ka të bëjë me goditjen në vendin e duhur dhe nga këndi i duhur”, shprehet Ashrita Furman.

Duke mos dashur që t’i çojë dëm kungujt, Furman thotë se të gjitha copat do ti mbledhë dhe një kuzhinier lokal do të bëjë me to ëmbëlsira. Por, vetëm një rekord nuk i mjaftonte atij. Ndaj me ndihmën e një miku, ia doli të sfidonte rekordin për numrin më të madh të kokoshkave të karamelizuara të kapura me gojë nga një largësi prej dy metrash. Ai u ndal pasi kishte kapur në fluturim plot 47 të tilla.

“Jam me të vërtetë i kënaqur. Është një rekord i ri dhe më gëzon. Është në kohë për hallouinin dhe mendoj se unë ia dola mbanë”, thotw Furman.

Furman ka vendosur rekorde të ngjashme Guinnes edhe duke përdorur në vend të kokoshkave boronica apo kokrra rrushi, por ngjitshmëria dhe forma e kokoshkave, përbënte për të një sfidë…Ai rrëfen se aktualisht mban më shumë se 200 rekorde Guinnes, përfshirë atë për numrin më të madh të rekordeve Guinnes.

Top Channel