Katalunjë, më shumë se 700 kryebashkiakë thirren në gjykatë

14/09/2017 00:00

Prokurori publik në Spanjë thirri për të marrë në pyetje më shumë se 700 kryetarë bashkish në Katalunjë, për mbështetjen që ata po i japin referendumit të jashtëligjshëm për pavarësi.

Jose Manuel Maza tha se, kushdo prej kryebashkiakëve që ka pranuar të ndihmojë për organizimin e referendumit të muajit të ardhshëm duhet arrestuar, nëse refuzon të paraqitet vullnetarisht në polici.

Më herët, prokurorët spanjollë urdhëruan sekuestrimin e fletëve të votimit dhe materialeve të tjera zgjedhore. Votimi i Katalunjës për t’u shkëputur nga Spanja konsiderohet i jashtëligjshëm dhe është ndaluar nga Gjykata Kushtetuese spanjolle.

Por qeveria lokale e Katalunjës, e cila kërkon pavarësinë, tha se referendumi i planifikuar për në datën 1 tetor do të kryhet. Nëse kjo ndodh, prokurorët mund të padisin kryebashkiakët apo zyrtarë të tjerë lokalë në Katalunjë për shpërdorim fondesh publike.

Në krahun tjetër, shoqata e komunave për pavarësinë u shkroi qindra zyrtarëve katalanas, për t’u thënë se nuk po bëjnë asgjë të keqe, pavarësisht se po sfidojnë Gjykatën Kushtetuese. Madje, si reagim ndaj vendimeve të Madridit zyrtar, autoritetet katalanase u kanë kërkuar kryebashkiakëve të kësaj krahine që të protestojnë të Barcelonë të shtunën.

Top Channel