Shpresë te bujqësia, banorët e Rusanit: Emigrimi s’është zgjidhje

17/02/2017 00:00

Në Rusan të Delvinës pak banorë janë emigrantë. Fshati i krijuar pas disa eksodeve të popullsisë çame nga veriu i Greqisë prej dekadash është përpjekur të jetojë duke përdorur resurset që natyra i ka dhënë Rusanit.

200 familje sot jetojnë me të ardhurat prej bujqësisë dhe blegtorisë. Banorët tregojnë se nuk është e lehtë. Nëse nuk prodhon shumë, thotë Petrit Hoxha, nuk të del për të shitur. Këtë vit, familja e tij po eksperimenton me kryqëzimin e varieteteve te hardhisë së egër me atë të butë. Ata shpresojnë të zgjerojnë sipërfaqen e vreshtit, numrin e ullinjve dhe të kultivojnë edhe sipërfaqen djerrë.

Familja e Lutfi Cafait u vendos këtu më 1938 kohë, kur i ati u largua nga Greqia. Ndërtuam një shtëpi të vogël, thotë ai këtu pranë xhamisë që pas ’90 e zgjeruam me punë.

“Një pjesë e vogël e fshatit jetojnë me blegtori, një pjesë tjetër me bujqësi. Mirë do të ishte që të kishte edhe ndonjë subvencionim nga shteti”, shprehet Lutfi Cafait.

Ai, djemtë dhe gruaja punojnë nga 12 orë çdo ditë për t’ja dalë. Ata janë pronarë të 700 rrënjëve ullinj, qindra rrënjëve mandarina dhe një parcele perimesh. Lutfiu kërkon që shteti të mund ta mbështesë minimalisht nevojën për të modernizuar investimet.

Vezirja një tjetër banore e Rusanit tregon se nëse punon mund të jetosh edhe në fshat. Ajo thotë se ka mbështetur studimet e larta për dy prej fëmijëve të saj, vetëm duke kultivuar  perime që i shet çdo ditë në Delvinë.

“Këtu mund të them me plotë gojën se kush punon rron. Duhet pak ndihmesë nga shteti për këto plehrat kimike “, thotë Vezire Cafai.

Rusani, pellgu i zonës rurale të Delvinës dhe territori bujqësor i Fushë-Verrisë janë mes zonave  më të distancuara prej tregjeve në qarkun e Vlorës. Por banorët besojnë se emigracioni nuk është më një zgjidhje. Bujqësia dhe rritja e prodhimit duket se ka filluar t’i shërbejë më mirë të ardhmes së tyre.

Top Channel