Las Palmasi bën lojën, Reali fiton

14/03/2016 00:00

Reali i Madridit ka fituar 2-1 në transfertën e Las Palmasit, por ka shfaqur një lojë shumë të dobët. Keylor Navas me pritjet e tij dhe Casemiro me golin e fitores ishin të vetmit lojtarë që shpëtuan nga imazhi i keq i skuadrës.

Sergio Ramos kaloi në avantazh madrilenët në minutën e 23-të të pjesës së parë. Barazimi për vendasit erdhi në minutën e 86, ndërsa dy minuta më vonë ishte Casemiro ai që riktheu avantazhin për Realin.

Pas ndeshjes, trajneri Zinedine Zidane shprehu hapur pakënaqësinë e tij: “Me këtë lojë nuk shkojmë gjëkundi. Jam shumë i shqetësuar me pjesën e dytë që luajtëm. Do e analizojmë thellë sepse humbëm shumë topa. Nëse presim diçka nga e ardhmja, duhet të luajmë ndryshe”.

Edhe përsa i përket zotërimit të topit, Las Palmasi ishte superior ndaj Realit: 52% me 48%. Nuk është e lehtë të gjesh një tjetër ndeshje të Realit që me Modric, Casemiro dhe Isco në mesfushë të “mbytet” nga kundërshtari, sidomos kur ky kundërshtar është një ekip modest si Las Palmas.

Top Channel