A e urreni atë momentin kur ju, sapo keni zbritur nga avioni dhe zbuloni se veshja juaj nuk u përshtatet temperaturave të vendit ku keni udhëtuar? Një aeroport në Suedi ka menduar për këtë gjë dhe ofron një zgjidhje.

Aeroporti “Stokholm Arlanda” ka ndërtuar një pajisje, e ndarë në tre pjesë, që simulon temperaturat e vendit ku do të udhëtoni. Pajisja që quhet “Climate Portal” ju mundëson që të futeni aty, në mënyrë që të kontrolloni temperaturat e vendit që është destinacion i juaj, dhe të arrini në përfundime se çfarë duhet të veshni.

Simuluesi i motit merr të dhëna për kushtet atmosferike në kohë reale, për vende të ndryshme, dhe i simulon brenda kabinave. Brenda saj ka kondicionerë dhe ngrohës ajri, që simulojnë kushtet atmosferike të atij vendi për të cilin keni zgjedhur të kontrolloni temperaturat.

Gjithashtu, ka simulues të erës në mënyrë që e gjithë kjo të jetë sa më reale. “Stokholm Arlanda” e ka bërë gjithë këtë për arsye promocionale, por kontrolli i temperaturave të një vendi tjetër, që u shërben për t’u përgatitur më mirë, mund të bëhet një gjë e zakonshme në këtë aeroport.

“Climate Portal” do të jetë pjesë e aeroportit deri në fund të gushtit, por nuk dihet se cilat do të jenë veprimet e ardhshme.

Top Channel