12 skuadra arkitektësh ndërkombëtarë shpalosën propozimet e tyre për projektin e ishullit të Osumit në Berat, gjatë një konkursi ndërkombëtar të zhvilluar në qytetin e “një mbi një dritareve”.
Qëllimi final i projektit fitues do të jetë të sigurojë lidhjen e ishullit të Osumit në Berat, me rrjetin e hapësirave të qytetit. Konkursi synon të përftojë koncepte sa më origjinale dhe vizionare për ndërhyrje të karakterit arkitektonik dhe urban, duke respektuar bashkëjetesën harmonike midis jetës urbane dhe natyrës.
Kryeministri Rama theksoi se Berati është një thesar i çmuar i trashëgimisë kulturore të vendit tonë, por që u la në harresë për vite me radhë. Por, pas marrjes së qeverisë nga koalicioni i majtë, Berati po pëson një transformim rrënjësor.
“Në këto 18 muaj ne jemi krenarë sepse i kemi hapur rrugë një transformimi të jashtëzakonshëm, i cili do të vazhdojë me intensitet, pjesë e të cilit është edhe ky konkurs”, tha Rama.
Për krititikët e të tilla projekteve, Rama dha këtë përgjigje: “Ky është një transformim që lidhet jo thjesht me zbukurimin e qytetit, sic përpiqen ta minimizojnë ata që e kundërshtojnë këtë proces, por me ekonominë, komunitetin, krijimin e një frymëmarrjeje të re”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, të tilla investime kanë impakt të drejtpërdrejtë në ekonomi. “I siguroj të gjithë qytetarët e Beratit se me të marrë nga duart e jurisë propozimin fitues, ne do të nisim punën me bashkinë e re për ta jetësuar këtë projekt, si një projekt strategjik për Beratin e ri, ku e shkuara dhe e ardhmja do të ndërthuren në një të tashme me më shumë shpresë, entuziazëm dhe sidomos ekonomi”, shtoi Rama.
Top Channel