Buxheti i Kosovës për 2015, Mustafa: S’ka rritje pagash

30/12/2014 00:00

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa sërish mohoi mundësinë e rritjes së pagave me 25 përqind për vitin 2015 me arsyetimin se nuk ka buxhet për këtë.

Reagimi i Mustafës erdhi pas propozimit të deputetes nga radhët e AAK-së Donika Kada Bujupi për rritjen e pagave dhe mbajtjen e premtimit të qeverisë së kaluar. Këto diskutime u bënë në debatin e Kuvendit të kosovës për buxhetin e vitit 2015.
 
Debati për buxhetin në leximin e dytë në fakt nxiti sërish debate, jo vetëm mes pozitës dhe opozitës, por edhe përplasje ndërmjet deputetëve të PDK-së dhe LDK-së përkatësisht Ministrit të Kulturës Kujtim Shala.

Shala kërkoi tërheqjen e amandamentit për rinovimin e stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë pasi sipas tij ky është një projekt fiktiv, pa dhënë më tepër detaje se për cfarë bëhet fjalë. Një qasje e tillë e Ministrit të LDK-së nxiti reagimin e deputetëve të PDK-së Latif Gashi dhe Bekim Haxhiu të cilët kritikuan ministrin për njohuri të mangëta në këtë drejtim.

Deputetët debatuan edhe për shumën që duhet dhënë për ndërtimin e kompleksit memorial të betejes së Koshares për çka është vendosur gurthemeli në prill të vitit 2012 me një kosto prej 4 milion euro. Me propozim të deputetit të AAK-së Rrustem Berisha, Kuvendi vendosi që nga buxheti i vitit 2015 këtij kompleksi t’i jepen vetëm 250 mijë euro.

Në mesin e amandamenteve të propozuara nga opozita kishte edhe të tilla që kërkonin rritjen e buxhetit të familjeve që jetojnë me asistencë sociale, ndërtimin e shkollave apo rrugëve, por Kuvendi nuk mbështeti asnjë nga amandamentet e opozitës që nuk kishin mbështetjen e komisionit funksional.

Top Channel