Reformimi i skemës së pensioneve

17/11/2014 00:00

Deri në fund të këtij viti, 290 mijë persona, të cilët rezultojnë të vetëpunësuar në zonat rurale, por edhe emigrantët, mund të përfitojnë nga amnistia për sa i përket kamatëvonesave.

Një person, i cili nuk ka paguar vitet e sigurimeve shoqërore nga viti 1994 deri në vitin 2001, mund t’i blejë këto tetë vite, duke paguar vetëm 12 mijë lekë. Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, tha se kjo formë e shlyerjes së viteve të papaguara është e vlefshme deri në fund të këtij viti.

“Në seancën plenare të Parlamentit do të votohet falja e kamatëvonesave dhe e gjobave për të gjithë pensionet e atyre që jetojnë në zonat rurale dhe që vetëdeklarohen si fermerë. Kemi pasur një trefishim të pagesave, një trend fantastik që duhet ta vazhdojmë. Njerëzit praktikisht po derdhin parà në llogari të tyre, që nesër do t’i marrin me një pension të barazvlefshëm me atë të qytetit”, u shpreh ministri Veliaj.

Reforma e pensioneve, që do të zbatohet nga data 1 janar, do të sjellë të ardhura më të larta për çdokënd që paguan, por edhe që qëndron më gjatë në marrëdhënie pune.

“Njerëzit, për çdo vit që punojnë kanë 1 përqind më shumë. Kështu që tavani, për herë të parë nuk do të varet më nga sigurimet shoqërore, por nga vet individi”, theksoi më tej Erion Veliaj.

“Reforma e pensioneve në Shqipëri është ndër më të mirat në botë dhe mendoj se ajo duhet parë me seriozitet dhe duhet të merren të gjitha përfitimet e mundshme, për sa i përket amnistisë. Është e rëndësishme që njerëzit të kontribuojnë, sepse sa më shumë të kontribuojnë, aq më mirë do të jetë”, tha John Room, drejtor i operacioneve në BB.

Sipas skemës së re të pensioneve, çdo burrë që punon mbi 65 vjeç dhe çdo femër që qëndron në punë mbi moshën 60 vjeç, do të ketë edhe një bonus rritjeje vjetore prej 4%.

Top Channel