Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bashkë me deputetët Eduart Halimi dhe Arben Ristani, takuan të hënën prokurorin e përgjithshëm Adriatik Llalla, të cilit i dorëzuan dy kallëzime kundër deputetëve socialistë Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu.

Ndoka dhe Ndreu kallëzohen për goditje dhe kanosje për shkak të detyrës në ambjentet e Kuvendit ndaj deputetit Gent Strazimiri e për këtë kërkohet jo vetëm që të sekuestrohen kamerat si provë materiale, por edhe të verifikohen veprimet e kryeministrit Edi Rama, pasi sipas demokratëve, kryetari i PS është organizator i akteve të dhunës ndaj opozitës.

Ndërkohë, në kallëzimin e dytë kundër deputetit Arben Ndoka thuhet se,
ai me anë të një bisede ka kanosur dhe fyer për shkak të detyrës
zëdhënësen e Partisë Demokratike, Laura Vorpsi. Shtetasi Ndoka, thuhet
në kallëzim i ka kërkuar zonjës Vorpsi të mos bëjë asnjë deklaratë për
shtyp lidhur me personin e tij, ndërkohë që përveç evidentimit të faktit
që Ndoka është përsëritës në kryerjen e veprimeve kriminale, PD kërkon
nga Prokuroria e Përgjithshme që të verifikojë rekordet kriminale të
këtij shtetasi brenda vendit dhe në shtetin fqinj të Italisë.

“Depozituam dy kallëzime penale për dhunën në Parlament nga deputetët Ndoka dhe Ndreu ndaj zotit Strazimiri, si dhe kallëzimin ndaj Ndokës që ka kërcënuar zëdhënësen e PD, zonjën Vorpsi. Diskutuam dhe kërkuam prej kryeprokurorit hapa të shpejtë dhe efikasë për hetimin sa më të shpejtë ndaj agresorëve, në mënyrë që institucionet në Shqipëri të funksionojnë. Kur fjala e lirë i zihet opozitës, kur dhuna shkëmbehet me fjalën e lirë dhe shërbehet për t’i mbyllur gojën opozitës, atëherë demokraci në vend nuk mund të ketë. Demokracia është në rrezik”, deklaroi deputeti Halimi pas takimit.

Paditë penale të depozituara në organin e akuzës, për kryetarin e demokratëve, Lulzim Basha do të jenë provë e funksionimit të këtij institucioni, siç u shpreh ai pas drekës së punës me trupën diplomatike të akredituar në Tiranë.

Basha tha se çdo hapësirë demokratike do të shfrytëzohet prej opozitës për të denoncuar atë që e quajti ‘instalimin e oligarkisë në vend’, por pa iu përgjigjur qartë pyetjes nëse me këtë nënkupton edhe Parlamentin, të cilin prej disa ditësh opozita ka marrë vendimin e bojkotit pa afat.

“Ne po shterojmë dhe do shterojmë të gjitha opsionet demokratike. Sot dorëzuam në prokurori kallëzimet tona duke shpresuar se kjo provë e funksionimit të institucioneve do të kalojë me sukses. Por nuk do bëjmë asnjë gabim. Në këto 10 muaj ato që mund të duken si ngjarje të veçanta lidhen në një kornizë veprimi të organziuar nga dyshja Rama-Meta dhe që ka për qëllim instalimin e oligarkisë”, deklaroi Basha.

Paralelisht me takimin me ambasadorët, demokratët reaguan edhe nga selia, përmes kryetares së komisionit të integrimit, Majlinda Bregu.

“PD i bën të qartë Ramës se e mban përgjegjës politikisht dhe ligjërisht për çdo akt dhune ndaj opozitës. Partia Demokratike është e vendosur të bëjë transparencën për përfshirjen e krimit në radhët e mazhorancës. Partia Demokratike nuk do lejojë që Shqipëria të kthehet në një oligarki të mafias dhe që Rama dhe banditët e tij të varrosin ëndrrën evropiane të shqiptarëve”, deklaroi Bregu.

Top Channel