Spanja largohet kokëulur nga “Brazil 2014”

18/06/2014 00:00

Përfundon në “Brazil 2014” cikli spanjoll, mbyllet këtu tika-taka e famshme që i mbajti iberikët për 6 vjet në fronin e mbretit të futbollit botëror.

Ish kampionët e botës të drejtuar nga Del Bosque u mundën 2-0 nga Kili dhe dalin jashtë këtij botërori.

Brenda 6 viteve të fundit këta futbollistë festonin si të çmendur titullit e botës dhe atë të Europës, ndërsa tani në “Brazil 2014” grinden me njëri-tjetrin dhe i ulin sytë në tokë për të mos u përballur me kamerat dhe miliona tifozë që shpresonin tek ata.

U mendua se pas atij zhgënjimi me Holandën iberikët do të bënin kthesën ndaj Kilit, por ndodhi e kundërta. Skuadra amerikano jugore kaloi çdo parashikim dhe shpërfytyroi kombëtaren, e cila me lojtarët që ka në dispozicion është skuadra më e shtrenjtë e këtij botërori.

Përpjekjet e kilianëve për të shënuar gol që në fillimin e ndeshjes u shpërblyen në minutën e 20, kur Edu Vargas çoi topin në rrjetë. Një minuta para fundit të pjesës së parë Aranguiz dyfishoi rezultatin.

Ndryshimet e bëra nga Del Bosque ndryshuan disi ritmin e lojës së spanjollëve, por as Diego Costa, as Torres nuk bën asgjë që të ndryshonin rrjedhën e lojës.

Pas këtyre dy ndeshjeve të sotme Holanda dhe Kili janë 2 ekipet e para që kalojnë në 1/16 e “Brazil 2014”.

Top Channel