Mbledhja e diferencuar e mbetjeve

03/02/2014 00:00

Brenda këtij viti, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Bankën Botërore do të kryejnë një konkurs ndërkombëtar i cili do të vendosë se kush do të jetë operatori që do t’i jepet menaxhimi i  integruar i mbetjeve të Tiranës.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, tha se ndarja e mbetjeve do të kryhet që në burim dhe procesi i riciklimit do të ketë një pjesë të rëndësishme në këtë zinxhir.

“Prej kohësh, bashkë me konsulencën e Bankës Botërore, mënyrën apo projektin për të dhënë me koncesion këtë shërbim që do të përfshijë jo vetëm menaxhimin e vend-depozitimit të Sharrës, duke përdorur praktikat më të mira, por do të përfshijë edhe aktivitetet e tjera pararendëse, që do të thotë që nga vendi i depozitimit në qytet, tek kazanët e mbeturinave, tek futja e konceptit të reduktimit të mbetjeve, riciklimit të mbetejeve dhe pastaj depozitimi i asaj përqindje të mbetejeve që është e pamundur për t’u përpunuar”, thotë zoti Bozdo.

Pas akuzave të kryetarit të Njësisë Bashkiake numër 6, Krenar Cenollari  se bashkia nuk po kryen procesin e duhur të përpunimit të mbetjeve në landifll, Bozdo ka theksuar se në landfill punohet gjatë 24 orëve dhe se janë hapur dy parcela ku po punohet brenda kushteve teknike.

“Ne kemi hapur dy parcela të reja dhe mbetjet depozitohen atje duke respektuar tërësisht normat teknike që kanë lidhje edhe me mbulimin e tyre rast pas rasti në mënyrë frekuente atëherë kur kapaciteti i shtesës konsiderohet i plotë”, shprehet Bozdo.

Nënkryetari i Bashkisë ka deklaruar se në Sharrë nuk ka më djegje të mbetjeve.

Top Channel