Deputetet, te gruaja e dhunuar

09/01/2014 00:00

Pas një vizite në shtëpinë Vojsava Arapit, në zonën e ish-Kënetës në Durrës, Aleanca e Grave Deputete shprehet se ka vendosur të ndërmarrë nisma ligjore për ashpërsimin e dënimeve ndaj dhunuesve në familje, si dhe shmangjen e dhënies së dënimeve alternative për ta.

“Është nënë familjeje, është grua, është një zonjë e përkushtuar, është një njeri që nuk ka lënë asnjë ditë punën për të mbajtur familjen, një simbol heroik për të mbajtur familjen e saj”, thotë deputetja dhe kryetarja e Aleancës së Grave Deputete, Mesila Doda.

Deputetët i dhanë mbështetje Vojsavës dhe djalit të saj 12-vjeccar, duke i premtuar dhe ndihmë konkrete.

“Duhen gjetur të gjitha zgjidhjet sociale për këtë zonjë që është burrneshë, por është në një situatë shumë të traumatizuar dhe ne duhet t’i japim shtysën e parë sepse ajo është shumë e zonja që të jetojë edhe vetëm”, u shpreh Mimoza Hafizi, deputete e PS-së.

Në situata të ngjashme me Vojsavën ndodhen dhe mjaft gra të tjera, ndaj deputetja e Durrësit, mjekja Klodiana Spahia i bën apel grave që të denoncojnë dhunën që ushtrohet ndaj tyre.

“Ne do të përpiqemi maksimalisht që të bëjmë ç’është e mundur që të strehohet diku tjetër, të jetë e mbrojtur. Shpresoj shumë që të paktën në këtë rast të ketë mbështetje ligjore për çdo burrë që përpiqet të dhunojë gruan”, thotë deputetja socialiste, Klodiana Spahia.

Por ndërsa deputetet bisedonin me Vojsavën dhe të birin, në shtëpi mbërritën nga Kurbneshi dhe familjarë të bashkëshortit të saj, të cilët i kërkuan asaj të tërheqë denoncimin dhe të bashkojë familjen.

Top Channel