Aksident në rrugën Tiranë-Durrës

12/12/2013 23:40

Një rrethanë fatkeqe i ka marrë jetën drejtuesit të një automjeti, ndërsa kishte ndaluar në autostradë për të sqaruar fërkimin me një tjetër mjet.

Ngjarja, që ndodhi në superstradën Tiranë-Durrës, afër Sukthit, i ka marrë jetën drejtuesit të një kamioni, rreth të 50-ave.

Pas përplasjes së një kamioni dhe një veture, drejtuesit kanë ndaluar mjetet në rrugë. Ndërsa ka dalë për t’u sqaruar me drejtuesin e automjetit tjetër, shoferi i kamionit është goditur për vdekje nga një automjet tjetër, që lëvizte me shpejtësi në superstradë.

Për shkak të errësirës dhe vendit aspak të përshtatshëm, drejtuesi i mjetit që shkaktoi aksidentin vdekjeprurës ka deklaruar se nuk e ka vënë re viktimën.

Policia ka ndaluar atë, si dhe ka marrë dëshminë e drejtuesit të mjetit që u përplas me kamionin, gjatë një parakalimi të gabuar. Policia nuk ka bërë ende të ditur identitetin e personave të përfshirë në këtë aksident.

Top Channel