Në emër të Qeverisë, Kryeministri Edi Rama shprehu mirënjohje dhe
falenderim për profesionalizmin e forcave elitë të policisë shqiptare
siç është  Reparti Eleminimit Neutralizimit të Elementëve të Armatosur,
në kapjen e të arratisurve nga burgu i Drenovës në Korçë.

I shoqëruar nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, Kryeministri vizitoi repartin e RENEA-s në Tiranë, nga ku deklaroi se “ajo që dëshmuat duke kthyer pas hekurave një grusht kriminelësh të rrezikshëmësh, është pathyeshmëria juaj dhe e shtetit përballë kujtdo që sfidon ligjet dhe kërcënon Shqipërinë”.

“Ne nuk do t’ju tradhtojmë kurrë! Ne nuk do t’ua lëmë kurrë shpinën të pambrojtur. Ne nuk do të lejojmë kurrë që të përsëritet tradhtia që në të shkuarën e ka bërë Policinë e Shtetit të dobët, e ka bërë Policinë e Shtetit të pafuqishme, e ka bërë Policinë e Shtetit humbëse karshi të keqes dhe karshi gjithfarë kriminelësh që, përballë jush, nuk kanë pasur avantazhin e forcës, as avantazhin e zgjuarsisë, as avantazhin e ndonjë zotësie tjetër të veçantë, por fatkeqësisht kanë pasur në momente kulmore avantazhin e të qenit të mbuluar politikisht përballë jush që, në ndeshjen me ta, keni qenë të zbuluar politikisht”, u shpreh Rana

Kryeministri Rama u angazhua për të përmirësuar kushtet e punonjësve të policisë si ato vetjake, të familjeve, ato stërvitore dhe të  punës mbi të gjitha atë financiare.

“Ashtu sikundër, jam plotësisht i bindur se ajo që ju bëni dhe kjo vepër e jashtëzakonshme që bëtë në ditët e fundit, do të krijojë mirëkuptimin e nevojshëm brenda të gjithë shoqërisë që, në një kohë kur përmirësimi i kushteve financiare në përgjithësi është i vështirë, përmirësimi i kushteve tuaja financiare të jetë e para gjë që të bëjmë, qysh në vitin e ardhshëm, kur ndoshta të tjerët do të duhet të presin pak dhe, me mirëkuptim, të pranojnë se Policia e Shtetit, Forcat Speciale, janë të parat që meritojnë një rritje të përfitimit financiar”, tha Rama.

Në fund të fjalës së tij Kryeministri tha se sot duhet të themi jo vetëm lavdi përjetë heronjve dhe dëshmorëve të Luftës Nacional Çlirimtare, por edhe lavdi përjetë të gjithë atyre që, nën uniformën e Policisë së Shtetit, sakrifikuan jetën e tyre për të mbrojtur ngjyrën e kësaj skuadre, që është skuadra më e rëndësishme e këtij shteti.

Top Channel