“Crown Agents” merr doganat

28/10/2013 00:00

Qeveria ka miratuar një marrëveshje, e cila i jep kompanisë “Crown Agents Limited” të drejtën për të asistuar doganat shqiptare për një afat dyvjeçar.

Qëllimi i marrëveshjes me kompaninë britanike është të përmirësojë rezultatet e administratës doganore në mbledhjen e të ardhurave, duke ulur evazionin por edhe korrupsionin në administratë. Marrëveshja nuk është bërë ende publike, por pritet që shumë shpejt ajo t’i dërgohet Parlamentit për miratim.

Ndërkaq, Top Channel ka mësuar se vlera e kontratës pritet të arrijë në disa milionë euro, ndonëse çmimi final që qeveria shqiptare do paguajë tek kompania britanike do të jetë në vartësi të rezultateve që ajo do të arrijë me doganat.

Burime nga Ministria e Financave thanë se, nisur nga eksperiencat e suksesshme të kompanisë në këtë fushë, pritshmëritë janë për përmirësime të forta në rritjen e të ardhurave doganore, të cilat kalojnë disafish vlerën e kontratës.

Ministria saktëson se kompania nuk do të kryejë shërbimin e monitorimit, por do t’i shërbejë doganave me të gjithë asistencën e nevojshme dhe do të bashkëpunojë ngushtë me të edhe për veprimtaritë në terren.

Në kontratë është parashikuar një afat kohor prej dy vjetësh, me të drejtë ripërtëritje në fund të vitit të parë. Kjo është hera e parë kur Shqipëria kontrakton një kompani të huaj private për të asistuar administratën fiskale, në rastin konkret atë të doganave.

Më parë praktika të ngjashme janë zbatuar nga vendet e rajonit, si Bullgaria, ku rezultatet në mbledhjen e të ardhurave kanë qenë pozitive.

Top Channel