Olldashi: Kundërshtari ynë, PPSH

13/07/2013 00:00

Dy kandidatët në garë për kreun e PD-së ka vijuar takimet me bazën duke
shpalosur alternativat e tyre për drejtimin e kësaj force politike. 

Sokol Olldashi nga Lezha u tha mbështetësve demokratë se ata  duhet të ndërtojnë një mekanizëm perfekt opozitar për të çmontuar mazhorancën e koalicionit të ish Partisë së vjetër të Punës,

“Marrëveshja e 1 prillit mes PS dhe LSI riktheu partinë e vjetër të punës. 1 Prilli ishte rithemelimi i Partisë së Punës. Nga ky moment, ne duhet të fokusojmë si kundershtarin tonë politik, ish partinë e vjetër të Punës, pra do të thotë , Partinë Socialiste dhe LSI-në bashkë, pra do të thotë banditët e PS-se dhe hajdutët e LSI-se, të gjithë bashkë. Duhet t’i fokusojmë dhe t’i godasim me të gjithe fuqinë tonë politike. Skena politike në Shqipëri nuk ka tre pole, por dy: ka ish Partinë e vjetër të Punës dhe opozitën e Partisë Demokratike. Ky është një kufi i qartë të cilin, ne duhet ta vendosim menjëherë. Kjo parti ka rrëzuar Partinë e Punës në 1992, ka rrëzuar mazhorancën e korrupsionit në 2005. Partia Demokratike këtë aliazh e rrëzon në përpjekjen e parë elektorale, në zgjedhjet lokale të vitit 2015”, tha Olldashi.

Në vijim të fushatës për postin e Kryetarit të PD-së, Sokol Olldashi zhvilloi një bashkëbisedim edhe me aktivistë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike në Mirditë ku theksoi se Partia Demokratike duhet të funksionojë si një shtëpi e madhe e opozitës dhe se duhet të forcojë menjëherë raportet me shtresat tradicionale të saj.

Basha sulmon Ramën

Kandidati tjetër për kryetar i PD-së Lulzim Basha ka prezantuar platformën e tij për drejtimin e partisë në Lushnje, Peqin dhe Gramsh, nga ku deklaroi se PD-ja do të ndërtojë sistemin e vlerësimit të meritës dhe karrierës për çdo anëtar të saj.

Trashëgimia e PD-së,- tha Basha,- bën krenar çdo anëtar të saj dhe është gur themeli për fillimin e ri. Zoti Basha tha se opozita dhe çdo qytetar shqiptar, i cili që sot ndjehet i mashtruar nga premtimet e kësaj mazhorance duhet të përgatitet  për të mbrojtur institucionet e këtij vendi nga modeli i partisë-shtet.

“I keni parë se si po kërkon të menaxhojë pushtetin nga faqja zyrtare e Partisë Socialiste, këtë provojë e njohim, kësaj i thonë parti–shtet. E filluan me kundërshtimin që i bënë rritjes së rrogave dhe pensioneve minimale para një jave, e vazhduan me kërcënimet banditeske ndaj përfaqësuesve tanë në KQZ, por në çdo rast ne do të jemi gati për t’ju përgjigjur kësaj kulture anti-shtet me instrumentat e nevojshëm institucional, politikë dhe ligjorë për të mbrojtur shtetin, institucionet dhe administratën publike”, tha Basha.

Top Channel