“Zhduken” turistët çekë në Jezercë

07/07/2013 20:10

Një grup turistësh rezultojnë të humbur në majën e Jezercës.

Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bëjnë të ditur për Top Channel se, një grup prej 5 personash, turistë çekë, kanë njoftuar në sallën operative të policisë se kanë humbur.

Policia e Shtetit është vënë në lëvizje menjëherë, duke dërguar atje helikopterë, që, pasi kanë kryer disa herë kontrolle në majën e Jezercës, nuk kanë arritur të gjejnë asnjë shenjë të turistëve çekë.

Mësohet se helikopterët i kanë ndërprerë kërkimet për shkak të errësirës dhe pritet t’i rinisin ato në orët e para të mëngjesit.

Ndërkaq, bëhet e ditur se, nga Komisariati i Tropojës, janë nisur forca të shumta policie, për të kryer kërkime në terren, por deri më tani nuk ka asnjë shenjë të turistëve çekë të humbur.

Top Channel