Rama: Reformim i policisë dhe ushtrisë

16/06/2013 00:00

Në Vlorë, kryesocialisti Edi Rama ka premtuar zbatimin e ligjit për pensionet e ish-ushtarakëve , një ligj i cili sipas PS-së është shkelur me një akt normativ antikushtetues, ndërkohë që këtë të drejtë ish-ushtarakët e rimorën, siç tha lideri i opozitës, në Gjykatën Kushtetuese në vitin 2007. 

“Ne do të respektojmë atë që juve jua ka njohur Gjykata Kushtetuese”, premtoi Rama.

Ndërkohë, Arben Isaraj ka renditur edhe disa nga parimet kryesore mbi të cilat mbështetet programi i PS-së për trajtimin e ish-ushtarakëve: “Zbatimi i legjislacionit në fuqi për problemet sociale dhe ekonomike të ushtarakëve dhe kjo do të thotë zbatim i plotë i statusit që keni marrë me ligj nga ne në vitin 2004. Shfuqizim urgjent i aktit normativ të kthyer në ligj nga Sali Berisha në vitin 2010. Ndërprerje e rillogaritjes dhe e uljes së pensionit të parakohshëm.”
 
Edi Rama, në takimin me ish-ushtarakë dhe ish-punonjës policie theksoi se objektivi primar do të jetë rikompozimi i uniformave blu duke përfshirë, siç tha ai, punonjës të shkarkuar me pa të drejtë, por edhe ata njerëz të aftë e të ndershëm që janë sot pjesë e kësaj strukture: “Do ju themi qartësisht se çfarë mund të bëjmë dhe çfarë nuk mund të bëjmë, por atë që mund ta bëjmë, do e bëjmë dhe atë që nuk mund ta bëjmë, nuk do e premtojmë.”

Më pas, në një takim me studentë në qytetin e Vlorës, një mesazh ka ardhur edhe nga nipi i Ismail Qemalit: “Kam kuptuar se populli ndonjëherë relaksohet dhe bie në gjumë. Duroi pushtimin otoman, diktaturën e Zogut, atë të Enver Hoxhës… Sot po duron Salikracinë. Zgjohuni të rimarrim Shqipërinë sepse na e kanë vjedhur. Sot fillon një pavarësi e dytë.”

Ndërkohë, kryesocialisti ka bërë një premtim konkret sa i takon punësimit në këtë zonë: “Ne kemi ambicie që në Vlorë të krijojmë 27 mijë vende të reja pune. Është një shifër ambicioze, por me projekte inteligjente kjo shifër arrihet dhe kalohet.”

Top Channel