Berisha: Nuk bëjmë vetëm rrugë

26/05/2013 00:00

Kryeministri Sali Berisha e ka nisur vizitën e tij në Elbasan me
përurimin e rikonstruksionit të rrugës Drizë-Poroçan në Gramsh, një
investim i qeverisë shqiptare prej 331 milionë lekësh.

Duke përmendur avantazhet, që do të kenë banorët e zonës nga ndërtimi i këtij aksi, kryeministri Berisha premtoi hapjen e autostradës Tiranë-Elbasan brenda 3 javëve të ardhshme.

“Kjo rrugë u shërben 11 mijë banorëve. Ajo do të bëjë të mundur, që banorët e këtyre fshatrave të nxjerrin prodhimet e tyre shumë me lehtësi në tregun e Gramshit, Elbasanit dhe shumë shpejt, brenda dy-tre javësh, edhe në tregun e Tiranës, 20 minuta nga Elbasani”, tha Berisha.

Kryeministri Berisha shprehu angazhimin për rindërtimin e çdo kilometri rrugë në këtë rreth, por theksoi se rrugët nuk janë i vetmi prioritet i qeverisjes së tij, duke premtuar vende të reja pune, trefishimin e granteve për fermerët dhe marrjen e statusit kandidat brenda mandatit të ardhshëm.

“Rama të votojë amnistinë fiskale”
Berisha: Për KQZ-në ka vetëm një rrugë, të zbatohet ligji

Gjatë ditës, kryeministri zhvilloi një bashkëbisedim me gazetarë, prej nga i bëri thirrje opozitës të shfrytëzojë seancën parlamentare të së enjtes, kur do të miratohen tre ligjet, edhe për votimin e amnistisë fiskale.

“Nuk e bëmë dot amnistinë si duhet, por për shkak të bllokimit të tij, për 100-vjetorin. Por shteti bën amnisti, pasi kjo është në parimin e ndërtimit të shtetit dhe funksionimit të tij. Shteti ndëshkon, bazuar në ligj, por shteti edhe fal”, tha Berisha.

Duke iu referuar deklaratës së ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu, për rikonstituimin e KQZ-së, kryeministri tha se nuk mund të ketë asnjë variant tjetër, veç atij që parashikon ligji.

“Ndaj dhe nuk mund të bëhet fjalë për asnjë variant tjetër, përveçse atë që përcakton ligji i vendit, atë që thonë institucionet e vendit. Në këtë kontekst garantoj të gjithë shqiptarët se kam mbështetjen e plotë të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Britanisë së Madhe, të Francës, të Gjermanisë dhe të të gjitha qeverive të vendeve të lira”, theksoi Berisha.

Top Channel