Tjetër gjobë për Taulant Ballën

13/05/2013 00:00

Brenda dy javësh, deputeti socialist merr një tjetër ndëshkim me gjoba nga Gjykata e Tiranës. Ai u konsiderua fajtor për shpifje ndaj djalit të kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha.

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, gjyqtari Ridvan Hado deklaroi se nga 5 milionë lekë gjobë, që kërkon në padinë e shkaktimit të dëmit Shkëlzen Berisha, gjykata vendosi të pranojë pjesërisht padinë, duke gjobitur Ballën me 2 milionë lekë gjobë.

Një vendim, që shkaktoi reagimin e të dy avokatëve.

“Pranimin e padisë, detyrimin e të paditurit, Taulant Balla, t’i paguajë të paditurit, Shkëlzen Berisha, shumën prej 2 milionë lekësh si dëmshpërblim për dëmin jashtëkontraktor të shkaktuar. Detyrimin e të paditurit, Taulant Balla, të publikojë përgënjeshtrimin e deklaratave të tij, të datave 26 korrik 2012 dhe 19 dhjetor 2012, në pjesën ku citon paditësin, Shkëlzen Berisha”, vendosi gjyqtari Ridvan Hado.

“Nëpërmjet përdorimit të Gjykatës së Gërdecit, që quhet kjo tashmë, ku u arrit që të merret një vendim i kundraligjshëm, i cili cënon hapur parimet kushtetuese të lirisë së fjalës, parimet kryesore të gjykimit të drejtë dhe të lirë, si dhe tentohet që ky vendim të përdoret për fushatë elektorale. Rruga ligjore, që ne do ndjekim, ka të bëjë me apelimin e çështjes”, tha Eridian Salianji, avokat i Taulant Ballës.

“Vendimin e sotëm të gjykatës e vlerësojmë si pjesërisht të drejtë, pasi nuk pranoi plotësisht kërkesat tona. Ndonjëse mendojmë, vlerësojmë dhe gjykojmë se ishin të tëra provat, faktet dhe evidencat shkresore, që gjykata të pranonte të plotë dhe të gjendur kërkesë-padinë e zotit Berisha. Gjithsesi, besoj se do ta apelojmë”, tha Fatos Lazimi, avokat i Shkëlzen Berishës.

Kjo është gjoba e tretë, që jepet nga gjyqësori ndaj Ballës. Më parë, ai ishte paditur nga ministri Genc Pollo dhe nga zëvendës/drejtori i përgjithshëm i Policisë, Agron Kuliçaj.

Vendimi, reagon Balla
“Gjykata, një kuzhinë e punëve të pista të Berishës”

Pas vendimit të gjykatës, reagoi edhe deputeti Balla, i cili thotë se nuk ka patur asnjë dyshim për vendimmarrjen e turpshme në Gjykatën e Tiranës, e cila është kthyer në një aneks të kuzhinës së punëve të pista, të Sali Berishës.

“Mjafton të thuash se, aktualisht kjo Gjykatë drejtohet nga asistenti i vajzës së kryeministrit, zonjës Argita Berisha (Malltezi), dhe kuptohet qartë se çfarë vendimesh merren aty”, deklaron balla, i cili akuzon gjykatësin Ridvan Hado se, pas këtij vendimi për djalin e kryeministrit, pret të gradohet në Gjykatën e Apelit ose atë të Lartë.

Deputeti Balla thekson se nuk tërhiqet nga deklaratat e bëra dhe se, pas 23 qershorit, kryeministri dhe fëmijët e tij do të zbardhin pasurimin e paligjshëm.

Top Channel