Paraplegjikët, apel politikës

20/04/2013 00:00

Në prag të zgjedhjeve, 120 mijë persona me aftësi të kufizuara u
kërkojnë partive të kthejnë vëmendjen tek kjo shtresë sociale, duke
përfshirë në programet politike kërkesat e parashtruara prej tyre.

Krahas miratimit të Projektligjit për Përfaqësimin e Posaçëm të Personave me Aftësi të Kufizuara, ata kërkojnë kryerjen e një reforme të thellë në sistemin e pagesave dhe pensionet e invaliditetit.

“Problemi i punësimit të personave me aftësi të kufizuara, i invalidëve të punës është një problem madhor dhe kërkon një skenë dhe mbështetje të posaçme, ndërsa financimi i aftësisë së kufizuar që nuk përmbush dot funksionet vitale duhet të jetë një gjë krejt e veçantë dhe e pavarur. Përzjerja e këtyre skemave ka krijuar një kosto të madhe dhe janë trajtuar të gjithë si persona të paaftë, ndërkohë që njerëzit e aftë për punë mund të mbështeten në programe të tjera dhe t’u krijohen shanse për punësimin e tyre”, thotë Sinan Tafaj, Kryetar i Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuara.

Per Tafajn, një tjetër problem që duhet rregulluar është miratimi i statusit të personit me aftësi të kufizuara, për grupet e panjohura deri më sot.

“Të vendoset një drejtësi sociale, në politika sociale për personat me aftësi të kufizuar.Çka do të thotë, personat që nuk dëgjojnë, deri më sot ligji nuk i njeh si persona me aftësi të kufizuar; personat me probleme mendore kanë një seri problemesh të mëdha dhe të parregulluara me ligj”, thotë Tafaj.

Një tjetër pikë e rëndësishme është zgjerimi i gamës dhe përmirësimi i cilësisë së shërbimeve për këtë shtresë sociale.

Top Channel