Programi i ri i Partisë Socialiste, siç thotë Rama, është vija ndarëse mes një Shqipërie për shqiptarët dhe një Shqipërie për interesat personale të qeverisjes aktuale.

“Kemi programin që e bën më të qartë se asnjëherë zgjedhjen e shqiptarëve: mes rrënimit apo rilindjes; mes rritjes së papunësisë apo punësimit real; mes taksës së sheshtë apo taksimit të ndershëm; mes arsimit dhe shëndetësisë sipas xhepit apo shërbimeve publike sipas nevojës; mes braktisjes së fshatit apo zhvillimit rural me mbështetjen e qeverisë”, deklaroi Edi Rama.

Kryesocialisti prezantoi më pas një tjetër pjesëtare të denjë, siç tha, të skuadrës së “Rilindjes Kombëtare” në qarkun e Elbasanit, dekania e Fakultetit Ekonomik në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Evis Kushi.

“Njerëzit në 23 qershor duhet të zgjedhin mes një skuadre të lodhur dhe skuadrës sonë kombëtare të Rilindjes. Jam i bindur se ne po i japim Elbasanit një arsye më shumë për të na besuar”, deklaroi kreu i PS-së.

Vetë kandidatja Kushi theksoi se tashmë është koha që shqiptarët të bashkohen për t’i dhënë një tjetër të ardhme vendit të tyre.

“Kam kuptuar që nuk duhet të tërhiqem dhe për shkak të situatës ku ndodhet vendi ynë, duhet që me anë të politikës të japim një kontribut më shumë. Kam besim në fitoren e 23 qershorit”, u shpreh Kushi.

Top Channel