Në një takim me qytetarë të njësisë bashkiake numër 1 në kryeqytet, kryetari i ‘Lëvizjes Socialiste për Integrim’, Ilir Meta tha se konflikti i paarsyeshëm për interesa të ngushta politike po lë vendin në stanjacion politik.

“Vendi është në një stanjacion politik për shkak të një konflikti të paarsyeshëm që vë në plan të parë interesat e ngushtë të politikës dhe jo interesat e përgjithshme, por qytetarët shqiptarë kanë mundësi me votën e tyre të ndryshojnë jo pak përbërjen e ardhshme të parlamentit dhe mbi të gjitha të vlerësojnë forcat që punojnë për bashkëpunimin në interes të vendit”, tha Meta.

Duke u ndalur tek debati mbi ekonominë, zoti Meta tha se politika më e mirë është ajo që favorizon punësimin dhe në këtë pikë nevojitet mbështetje ndaj biznesit.

“Ne vijmë me një propozim konkret në këto zgjedhje për të realizuar rimbursimin automatik sikurse ndodh në shumë vende të tjera të zhvilluara sepse ne biznesin nuk e shohim si armik, por si partner, nuk luftohet varfëria me asistencë sociale dhe lëmoshë, por me vende të reja pune”, deklaroi kreu i LSI-së.

Gjatë takimit u anëtarësuan në Lëvizjen Socialiste për Integrim 120 anëtarë të tjerë, një pjesë të të cilëve  lideri i LSI-së u dha dokumentet e anëtarësisë.

Top Channel