Kryetari i LSI-së, Ilir Meta ka vijuar takimet me përfaqësues të biznesit, këtë herë në një kompani Call Center-i në Tiranë. Meta tha se ky lloj biznesi është një mundësi e mirë për hapjen e vendeve të reja të punës.

Ai shtoi se pavarësisht impaktit negativ të krizës nga vendet fqinje, Greqia dhe Italia, ne duhet të jemi vigjilentë për të shfrytëzuar edhe oportunitetet që mund të sjellin investimet e huaja në aktiviteteve të tilla biznesi në vendin tonë.

Kreu i LSI theksoi se, për forcen politike që drejton, punësimi i të rinjve ka qenë dhe mbetet prioriteti kryesor i programit ekonomik.

Meta nënvizoi edhe njëherë se LSI beson se, “Koalicioni për punësimin e qytetarëve” është koalicioni që i duhet Shqipërisë në këto kohë të turbullta, siç e cilësoi ai situatën në vendet fqinje dhe më gjerë në Europë.

Së fundmi, në takimet e tij elektorale, Meta mbështeti propozimin e bërë më herët nga kryeministri Sali Berisha, për uljen e moshës së votimit në 16 vjeç.

“16-vjeçarët e meritojnë të votojnë dhe të marrin përgjegjësitë e tyre. LSI është e para forcë politike që e ka ndryshuar statusin dhe 16-vjeçarët kanë të drejtën e votës”, tha Meta.

Ai u shpreh se, edhe nëse konsensusi për të realizuar këtë ndryshim nuk arrihet përpara këtyre zgjedhjeve, patjetër në të ardhmen 16-vjeçarët do të kenë një rol më të madh se sa e kanë sot.

Kreu i LSI-së theksoi se bashkëpunimi mes forcave politike duhet shtrirë në të gjitha nivelet, me qëllim miratimin e tre ligjeve, por edhe krijimin e një klime pozitive në kuadër të zgjedhjeve elektorale të 23 qershorit.

Top Channel