Reali fiton “El Classico”, Barca në krizë

02/03/2013 00:00

Reali i Madridit ka mposhtur për të dytën herë brenda katër ditëve Barcelonën dhe këtë herë me pjesën më të madhe të lojtarëve titullarë të ulur në stol.

“El Classico” e luajtur në një orar të pazakontë për një sfidë të tillë, përfundoi me rezultatin 2-1 për madrilenët. Rezultati u zhbllokua që në minutën e gjashtë nga Benzema, ndërkohë që Messi u kundërpërgjigj në minutën e 18-të.

Pjesa e parë përfundoi. Në të dytën, Barcelona këmbëngul më shumë, por me mungesën e Xavit në mesfushë, muri mbrojtës madrilen bëhet akoma më i vështirë për t’u kaluar. I vendosur nën presionin e katalanasve, Mourinho zgjedh të hedhë në fushë asin e tij, Ronaldo.

Futja e portugezit i jep më shumë shpejtësi kundërsulmit vendas. Në minutat e fundit topi afrohet disa herë pranë portës së Barcelonës. Falë rritjes së presionit, Real fiton një korne. Në krosin e hedhur në zonë, Ramos kërcen më lart nga të gjithë dhe shënon golin e dytë.

Koha e mbetur është mjaft pak, edhe për një skuadër si Barcelona. Real fiton 2-1, ndërkohë që në fund u regjistrua një zënkë mes futbollistëve dhe anëtarëve të stafeve teknike përkatëse që i kushtoi kartonin e kuq portierit të Barcelonës, Victor Valdes.

Në katër ndeshjet e fundit në Ligën e Kampioneve, La Liga dhe Kupën e Mbretit, Barcelona ka humbur tre prej tyre, duke filluar që nga humbja 2-0 ndaj Milanit në San Siro, ajo ndaj Realit 0-3 në Kupë dhe humbja e sotme e vlefshme për La Liga-n.

Këto shifra tregojnë qartë një moment krize të Barcelona, edhe pse ne kampionat janë të shkëputur ndjeshëm si ndaj vendit të dytë ashtu edhe ndaj Realit të Madridit.

Top Channel