Jeta virtuale e adoleshentëve

09/02/2013 00:00

Fëmijët dhe adoleshentët e ditëve të sotme janë të apasionuar pas internetit. Nxënësit e shkollës nëntëvjeçare “Jeronim de Rada” tregojnë se kalojnë 2 deri në 5 orë në ditë duke naviguar në internet.

“Në internet më parë rrija 4 orë në ditë, por ngaqë rash në mësime tani e kam ulur në 2 orë në ditë”, tregon një vajzë. “Kam filluar që 13 vjeç të përdor internetin. Kryesisht shikoj lojra, Facebook e gjëra të tjera si moshatarët e mi”, thotë një djalë i së njëjtës moshë.

“Kam filluar të futem në internet që i vogël sepse mami kishte kompjuter në punë. Tani rrij rreth 5 orë në internet dhe shoh lojra e gjëra të tjera. Internetin e preferoj më shumë se librat, sepse ata nuk më tërheqin shumë”, thotë një nxënës tjetër.

Informacioni në internet është i shumëllojshëm dhe shpesh i pakontrolluar. Faqe me përmbajtje pornografike dhe të rrezikshme mund të hapen, ndaj kontrolli i prindërve është i domosdoshëm.

“Nëse kërkon ndonjë video janë reklamat e faqeve të tjera që hapen. Takime me persona që s’i njoh nuk lë, por me ata që i kam takuar dhe i kam “friend”, po. Zënkat dhe fyerjet kanë ndodhur shpesh”, tregon më tej një djalë.

Por si mund të mbrohen dhe kontrollohen adoleshentët dhe fëmijët nga një botë virtuale shpesh e thjeshtë dhe e dëmshme? Ashtu si edhe në shume vende të tjera të Europës, kjo është një nismë e vështirë, pasi fëmijët dhe adoleshentët kanë internet në telefona dhe mund të shohin faqe jo të lejuara edhe në sallat e internetit që ndodhen kudo nëpër lagje.

Ndërkohë që nuk ka asnjë filtër për moslejimin e të miturve të frekuentojnë këto salla. Konventa Europiane për Krimin Kibernetik, neni 11, kërkon hartimin e ligjeve dhe akte të tjera në zbatim të tij për ngritjen e qendrës kombëtare për luftën kundër pornografisë së fëmijëve dhe të faqeve të internetit për denoncimin e materialeve pornografike.

Ndërkaq, sipas kodit penal, Prodhimi dhe përhapja e materialeve pornografike me të gjitha format tek fëmijët nën moshën 18 vjeç, ose prodhimi, shitja apo përhapja e këtyre materialeve në mjediset që janë lirisht të frekuentuara nga fëmijët nën 18 vjeç, dënoheme gjobë ose me burgim deri në 2 vjet.

Top Channel