Samir Mane merr minierën e Bulqizës

31/01/2013 00:00

Biznesmeni i njohur në sektorin e ndërtimit dhe të tregtisë me pakicë,
Samir Mane, bën të mundur realizimin e një tjetër operacioni, tashmë në
sektorin e minierave.

Zërat qarkullonin prej dy muajsh, por një ditë më parë u zyrtarizua nga Autoriteti i Konkurrencës, sipas të cilit, kompania “Balfin” në pronësi të Manes, ka blerë shoqërinë koncesionare të shfrytëzimit të kromit, “Albanian Chrome” (ACR), e cila operon në minierën e Bulqizës, si dhe ka fabrikat e pasurimit dhe përpunimit të ferrokromit në Burrel e Elbasan.

Austriakët e DCM-së, të cilët kishin në pronësi koncesionin e minierës dhe fabrikave, përmes shoqërisë ACR, prej kohësh deklaronin se njëri variant ishte shitja e aksioneve, nisur nga problemet e shumta të shkaktuara në galeritë e minierës dhe skandalit me ministrin Genc Ruli për favorizime me taksat dhe investimet.

Lajmi tashmë konfirmohet nga Autoriteti i Konkurrencës, sipas njoftimit të të cilit, në datën 17 janar 2013, Autoriteti ka marrë njoftimin e transaksionit të realizuar në bazë të “Marrëveshjes për blerjen dhe shitjen e ‘Albanian Chrome sh.p.k’”, të nënshkruar ndërmjet palëve (“Balfin sh.p.k” në cilësinë e blerësit dhe “DCM DECOmetal GmbH” dhe “DCM Beteilinungs GmbH” në cilësinë e shitësve) me objekt përftimin e kontrollit të shoqërisë “Albanian Chrome sh.p.k” nga shoqëria “Balfin sh.p.k” nëpërmjet transferimit të 100 për qind të kuotave.

“Albanian Chrome” është kompania më e madhe në Shqipëri e shfrytëzimit të kësaj pasurie natyrore dhe realizoi një xhiro prej 32 milionë eurosh në 2011-n, sipas të dhënave nga tatimet, me një rënie të lehtë me bazë vjetore, pasi shënoi një vit të vështirë me aksidente dhe grevat e punonjësve, që çuan në mbylljen e minierës për disa muaj.

Kreu i ACR-së ka pohuar se biznesi i kromit është shumë i shtrenjtë, pasi ka nevojë për investime të mëdha, ndërkohë që tregu aktualisht është i dobët. Ai i ka vlerësuar rezultatet financiare të 2011-s si tepër negative, ndërkohë që kompania ka humbje dyshifrore në miliona dollarë dhe ka probleme me rimbursimin e TVSH-së. Sakaq, ishin shprehur se do të investonin në miniera shifra prej 15 milionë dollarësh.

“Albanian Chrome” (pjesa e grupit austriak “Deco Metal”) hyri në tregun shqiptar në 2007-n, pasi bleu të drejtat koncesionare të kompanisë italiane “Darfo”. Kjo e fundit kishte fituar në vitin 2001 të drejtën koncesionare për shfrytëzimin e pjesës më të madhe të rezervave të kromit dhe prodhimin e ferrokromit në Shqipëri për 30 vjet, përfshirë minierën e Bulqizës dhe fabrikën e pasurimit në Burrel, si dhe fabrikën e ferrokromit në Elbasan, por dështoi në realizimin e investimeve të planifikuara, si dhe në menaxhimin e kësaj pasurie natyrore.

Gazeta “Shqip”

Top Channel