Riza Malaj i paralizuar, gjykata i ul 90 ditë burg

26/01/2013 00:00

Gjykata e Tiranës i ka ulur dënimin Riza Malajt, i akuzuar për disa
vepra të rënda penale. “I forti” i Tropojës po vuan dënimin në Spitalin e
Burgut, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, ku është
paralizuar.

“Nga dinamika e vuajtjes së dënimit dhe aktet e paraqitura nga IVSHB-ja, rezulton se kërkuesi Riza Malaj është deklaruar fajtor dhe dënuar disa herë për vepra të ndryshme penale. U dënua në vitin 2008 me 10 vite burg. Për shkak të gjendjes shëndetësore të të dënuarit dhe sidomos domosdoshmërisë së tij për kujdes të vazhdueshëm, i dënuari Riza Malaj po vuan dënimin e tij pranë IVSHB-së. Gjykata vlerëson se rasti i të dënuarit Riza Malaj është i veçantë, për shkak të vendit ku ai vuan dënimin dhe gjendjes së tij shëndetësore. Nga vlerësimi i sjelljes së kërkuesit dhe nga shpjegimet e përfaqësuesit të Spitalit të Burgut në seancë gjyqësore, rezulton se kërkuesi paraqet vështirësi në kujdesin ndaj vetes, për shkak të dëmtimit në të dyja duart e tij, si edhe problemeve me organet e dëgjimit dhe shikimit. Duke qenë në këto rrethana, edhe sjellja dhe qëndrimi i kërkuesit gjatë kohës së vuajtjes së dënimit do të vlerësohet në harmoni edhe me mundësitë e tij fizike dhe shëndetësore”, pohon gjykata, duke vendosur përfundimisht uljen e dënimit në masën 90 ditë.

Top Channel