Serbia: Berisha, deklarata destabilizuese

22/01/2013 00:00

Serbia i cilësoi jo koherente dhe destabilizuese deklaratat e kryeministrit Berisha dhe zyrtarëve të tjerë shqiptarë pas heqjes së përkujtimores së dëshmorëve të UCPMB-së në Luginën e Preshevës.

Nëpërmjet një komunikatë, Ministria e Jashtme serbe deklaron se akuzat e kryeministrit shqiptar, Sali Berisha bien ndesh me qendrimet e shprehura më parë prej tij. Mbrojtja e pakicave kombëtare në Serbi, thuhet në deklaratë, është në përputhje me standardet ndërkombëtare, ndaj të njëjtën gjë presim edhe nga Shqipëria.

Të hënën, gjatë takimit të përjavshëm me deputetët e grupit parlamentar demokrat, kryeministri Berisha e cilësoi heqjen e monumentit në Preshevë si akt racizmi, urrejtje dhe frike ndaj shqiptarëve. Berisha shtoi gjithashtu se Tirana do të rishqyrtojë qendrimin e saj kundrejt Beogradit pas këtij akti.

Ashpër reagoi edhe Ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti në një intervistë për emisionin Shqip po të hënën.

“Etiketimi i shqiptarëve si terroristë është rikthim tek fjalori i kasapit të Ballkanit, që përdori këtë për t’i paraprirë spastrimit etnik. Prandaj përdorimi i termave të tillë, heqja e paraleleve mes shqiptarëve dhe terroristëve të Al Kaedas është një gjest i ulët që ne nuk do ta tolerojmë dhe do të reagojmë me partnerët tanë ndërkomëbtarë. Unë jam për një zgjidhje integrale. Kërkohet dialog mes palës serbe dhe shqiptarëe në Preshevë për të zgjidhur në mënyrë të lirë pa paragjykime situatën dhe të drejtat në Preshevë. Memorialet janë një e drejtë e sanksionuar nga e drejta europiane për pushtetin lokal. Por përsa kohë kemi etiketime të shqiptarëve si terroristë, dialogu është i pamundur”, deklaroi kryediplomati shqiptar.

Top Channel