Ishte data 30 nëntor. Ajo e premte është kthyer në një makth për familjen Cela. Që nga ajo datë, ata nuk kanë asnjë informacion për djalin e tyre 10-vjeçar.

Julian Cela është emri i fëmijës për fatin e të cilit nuk dihet më asgjë. Si mund të përshkruhet një 10-vjeçar i cili nuk ka pasur ende kohë të rritet e të formojë karakterin e tij.

Familja thotë se ai është një djalë i qetë dhe se është e pamundur që të jetë larguar vetë duke nisur edhe nga marrëdhëniet e mira familjare. Pasditen e 30 nëntorit ai është larguar pasdreke për të shkuar në një qendër interneti. Që prej atij momenti vetëm dyshime dhe mister.

Një nga pistat kryesore për zhdukjen e djalit të vogël lidhet me profesionin e babait. Skënder Cela është prej vitesh punonjës i Shërbimit Informativ Shtetëror. Ky i fundit e hedh poshtë këtë version, por asnjë tjetër nuk qëndron.
 
Deri më tani është vetëm një gjë e sigurt. Ai ka qëndruar për pak çaste në fund të një salle interneti në rrugën “Pandi Dardha” dhe prej andej është thirrur nga një djale më i madh në moshë se ai. Dyshohet se 17-vjeçari quhet Gëzim P.

Deri më sot nuk ka pasur pothuajse asnjë zhvillim në lidhje me zhdukjen e Julianit.
 
Familja ka bërë apele të përsëritura dhe gjithashtu kanë shprehur publikisht pakënaqësinë e tyre për procesin hetimor.
 
Aktualisht fotoja e Julianit ndodhet e shpërndarë kudo, në pika kufitare e komisariate.
 
Në një moment dëshpërimi mësohet se nëndrejtori i anti-terrorit në SHISH të jetë shprehur i dorëzuar për gjetjen e të birit, por kërkimet si nga policia ashtu edhe nga familja vazhdojnë.

Top Channel