Kongresi i nëntë i së majtës europiane zgjodhi kreun e ri të Partisë, bullgarin Sergei Stanishev, dhe 50 anëtarët e presidencës (kryesisë), mes  të cilëve, për herë të parë dhe  kryetarin e Partisë Socialiste të Shqipërisë.

“Edhe kjo përfshirje në presidencën e Partisë Socialiste Europiane do të jetë një ndihmesë shumë e rëndësishme në funksion të mbajtjes ngritur të vëmendjes së familjes europiane ndaj zgjedhjeve në Shqipëri sepse në fund të fundit ne i fituam zgjedhjet dhe më parë, por nuk u zgjodhëm, ndërkohë që 2013 do të jetë viti i konfirmimit tonë si një forcë e zgjedhur, ku fitorja pa asnjë dyshim do të na takojë dhe ne do ta bëjmë atë të paprekshme”, deklaroi Rama.

Fitorja e së majtës në zgjedhjet e ardhshme ishte kryefjala e përfaqësuesve më të lartë të së majtës europiane, e cila synon të kthejë besimin e qytetarëve tek projekti europian përmes forcimit të demokracisë, mbrojtjes sociale dhe rritjes ekonomike.  

Në daljen e parë për mediat, kreu i sapozgjedhur i Partisë Socialiste Europiane, u pyet nga Top Channel për qëndrimin e kësaj force politike ndaj zgjerimit të BE-së me Ballkanin, e veçanërisht me Shqipërinë.

“Duke folur për Shqipërinë unë mendoj se çdo vend që dëshiron të anëtarësohet në BE, duhet të plotësojë një numër kriteresh politike e për mua standartet demokratike përbëjnë një prej kritereve më të rëndësishme për anëtarësimin në Bashkimin Europian”, theksoi Stanishev.

“Në këtë aspekt, standartet demokratike janë ekstremisht të rëndësishme dhe zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri duhet të zhvillohen në përputhje me këto standarte e sigurisht që PSE do të  jetë aty për të ndjekur këtë process”, shtoi Stanishev.

Sipas ish-kryeministrit bullgar, zgjerimi i BE-së bazohet tek besueshmëria e ndërsjelltë, duke përmendur si shembull Kroacinë, e cila pritet të anëtarësohet në 1 korrik 2013 në BE. Në pranverë, Partia Socialiste Europiane pritet të zhvillojë një konferencë të posaçme mbi zgjerimin me Ballkanin në një nga vendet e rajonit.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel