Elbasan, pranga pedagogut të Gazetarisë

15/09/2012 00:00

Policia e Elbasanit ka vënë në pranga një pedagog të degës së Gazetarisë në Universitetin e Elbasanit, “Aleksandër Xhuvani”, 30-vjeçarin Isidor Koti.

Sipas policisë lokale, Koti është arrestuar në flagrancë duke u marrë para studentëve në këmbim të notës kaluese në lëndën e gazetarisë, që ai jepte pranë këtij universiteti prej disa vitesh.

Sipas burimeve, shuma që Koti kërkonte në këmbim të notës varionte nga 10 mijë lëkë të reja deri në 100 euro. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një sasi parash prej 300 eurosh dhe 84 mijë lekë të reja.

Sipas zëdhënëses së policisë së qarkut Elbasan, Valbona Begu, pedagogu linte takime edhe jashtë orarit mësimor me studentë të universitetit.

Pedagogu i gazetarisë hetohej prej disa muajsh nga policia, por si pasojë e mungesës së provave materiale nuk mund të bëhej arrestimi i tij.

Isidor Koti, me banim në Tiranë, akuzohet për veprën penale të “korrupsionit pasiv të personave që kryejnë funksione publike”.

Në korrik të këtij viti, policia e Elbasanit arrestoi Pëllumb Kllogjerin, pedagogun e matematikës të këtij universitetit.

Burimet policore njoftojnë se po vijon operacioni edhe për persona të tjerë të stafit akademik në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, të cilët u kërkojnë studentëve para në këmbim të notave kaluese.

Top Channel