Kërcënohet gjyqtari i Dritan Dajtit

12/09/2012 19:30

Pikërishit në ditën që u mbush një vit nga vrasja makabre e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, një tjetër gjyqtar është kërcënuar me jetë, duke alarmuar kështu strukturat shtetërore dhe forcat e sigurisë, të cilat kanë miratuar në mënyrë urgjente nëpërmjet komisionit të posaçem për mbrojtjen e gjyqtarëve, mbrojtje të veçantë me forcat e njësisë “Brisku” për gjyqtarin Ardit Mustafaj.

Burime të sigurta nga ky komision, i cili përbëhet nga përfaqësues të KLD-së, Ministrisë së Drejtësisë, përfaqësues të Policisë së Shtetit dhe drejtues të gjykatës, në të cilën ushtron detyrën zoti Mustafaj, deklaruan për Top Channel se gjyqtari i Krimeve të Rënda është kërcënuar nëpërmjet një letre në datën nëntë shtator.

Në këtë letër, shtuan këto burime të besueshme, gjyqtari paralajmërohet të ketë kujdes dhe të mos bëhet palë me ‘atë çfarë kanë bërë të tjerët dhe të japë dorëheqjen nga gjykimi’.

Për shkak të sekretit hetimor, por edhe ndjeshmërisë së kësaj çështjeje, burimet nuk konfirmuan se për cilin gjyq bëhet fjalë. Por referuar kalendarit të çështjeve që gjyqtari Mustafaj është relator apo merr pjesë, ai rezulton si gjyqtari që ka dhënë disa vendime mbi çështje trafiqesh ndërkombëtare, ndërsa ka ende nën proçes dosje të trafikut të drogës dhe armëve.

I vetmi i ndjekur me interes nga mediat dhe ku gjyqtari Mustafaj është pjesë e trupës gjyqësore, por jo kryesues i saj, është çështja ‘Dajti’. Në këtë gjyq ka tre të pandehur, mes tyre edhe Dritan Dajti, nën akuzë për vrasjen e katër efektivëve të policisë. Në këtë proçes ka patur shpesh akuza në sallën e gjyqit dhe relatorja e mëparshme e çështjes me kërkesë të prokurorisë dha dorëheqjen.

Ndërsa gjyqtari Gurali Brahimllari e kallëzoi Dajtin në prokurori për fyerje ndaj trupit gjykues, çështje e cila ka përfunduar në gjykatën penale, ku Dajti është i pandehur sipas nenit 318 të Kodit Penal, seksioni Vepra Penale Kundër Drejtësisë, proçes i cili pritet të nisë më 26 shtator.

Top Channel