Vlorë, ekstradohet “makthi” i bankave

05/09/2012 18:00

Brenda pak ditësh policia e Vlores ka arritur të gjejë edhe vendin ku ishte i fshehur një nga autorët e grabitjeve me dhunë të bankave në këtë qytet.

Mili Veliko u arrestua për llogari të policisë së qytetit bregdetar nga homologët grekë dhe është ekstraduar për në Shqipëri.

24-vjeçari ishte bërë një prej maktheve të filialeve të bankave së bashku edhe me dy anëtarët e tjerë të bandës, vëllezërit Nardi dhe Joni Idrizi, të cilët janë të arrestuar.

Gjatë një komunikimi për mediat, policia e Vlorës sqaron gjithashtu se është bërë i mundur edhe sigurimi i provave shkencore për autorësinë e grabitjes.

Policia gjatë referimit të veprës penale në prokuori ka shtuar edhe akuzën e “grupit të strukturuar kriminal”, pasi ka prova që në të gjitha rastet të tre grabitësit kanë funksionuar si të tillë.

Top Channel