Njësia Speciale Anti-korrupsion ka arrestuar katër persona në komunën e Klinës, të cilët dyshohen për veprën penale “pastrim parash”.

Personat e arrestuar, sipas policisë janë të gjithë nga rajoni i Pejës, ndërkohë që ky rast tashmë është në proçedurë gjyqësore në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ku dyshohej se në mënyrë të kundërligjshme janë përfituar mbi 1 milionë e 257 mijë e 928 euro.

Ndërkohë, njësia e Departamentit të Policisë Kufitare ka zbuluar një grup të organizuar, mes të cilit edhe një polic, që cilët me anë të dokumenteve të falsifikuara kishin arritur të mashtronin kompanitë që jepnin makina me qera, të cilat i merrnin dhe i shisnin në treg.

Grupi i përfshirë në këto mashtrime kishte operim të gjerë në shumë regjione të Kosovës, si dhe në Shqipëri.

“Njësia e Departamentit të Policisë Kufitare ka zbuluar një grup të organizuar, që me anë të dokumenteve të falsifikuara, kryesisht të shteteve perëndimore, kanë arritur të mashtrojnë kompanitë “rent a car” dhe prej tyre të marrin vetura gjoja me qera dhe të cilat i shisnin apo i ndërronin. Grupi ka operuar në rajone të ndryshme të Kosovës, gjithashtu ka operuar edhe në Shqipëri. Dy të dyshuarit kryesorë të këtij grupi janë arrestuar”, deklaroi Nevruz Hasani nga Departamenti i Policisë Kufitare.

Sipas tij, të dyshuarit janë arrestuar në Deçan gjatë kohës kur ata po bënin mashtrimin e radhës. Teksa të dyshuarit po mbahen në paraburgim, policia bën apel tek qytetarët e Kosovës dhe te kompanitë të cilat kanë rënë pre e këtyre mashtrimeve, që rastet t’i denoncojnë në polici.

Ndërkohë, pronarët e disa prej 6 veturave të konfiskuara nga policia kanë falënderuar forcat e rendit për kthimin e makinave të tyre.

Top Channel