Nishani, vizita e parë në Kosovë

02/08/2012 00:00

Me ftesë të presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, do të zhvillojë një vizitë shtetërore në Kosovë në datat 30 dhe 31 gusht.

Lajmin e konfirmoi Presidenca e Kosoëvs dhe Ambasada e Shqipërisë në Kosovë.

Zyrtarë të kësaj të fundit thanë se ftesa e presidentes Jahjaga i është përcjellë presidentit Nishani dhe ndonëse përgjigjja nga presidenca shqiptare nuk është ende zyrtare, vizita do të realizohet.

Kjo do të jetë vizita e parë shtetërore e presidentit shqiptar jashtë shtetit. Zyra e presidentes Jahjaga tha se vizita do të jetë e karakterit shtetëror e me këtë rast presidentit Nishani do t’i bëhen të gjitha nderimet shtetërore duke filluar nga garda e nderit e FSK-së.

E teksa ende nuk bëhet e ditur axhenda e plotë mësohet se për ta nderuar edhe më shumë, përveç takimeve me zyrtarët e shtetit, protokolli i shtetit është në përgatitje të një ceremonie me karakter më popullor e cila me gjasë do të mbahet në qytetin e Prizrenit.

Top Channel