PS: Gënjeshtra e pensioneve

13/07/2012 00:00

Partia Socialiste akuzoi qeverinë se ka shkelur ligjin, duke i rritur
pensionet më pak se sa niveli zyrtar i inflacionit, që është i
detyrueshëm me ligj.

Në vitin 2006, qeveria aktuale mori një vendim që detyronte instatin që për pensionistët të llogariste një tregues të posacëm inflacioni, që sipas zotit beqja është aktualisht më i lartë se rritja e pensioneve.

“Thjesht, po të merren shifrat e INSTAT-it, pra duke marrë atë shtrenjtim të grupeve të ndryshme të mallrave dhe të shërbimeve, aq sa mat INSTAT për të gjithë, por duke ekzekutuar peshën specifike të vendimit të vitit 2006, pra inflacioni për pensionistët është 4.3%. Që nga ky moment rritja në qytet me 4% e para dy javëve nuk ka kaluar as inflacionin. As indeksimin rritja në qytet nuk ka mundur ta realizojë, ndërkohë që indeksimi është detyrim ligjor”, tha Beqja.

Por edhe rritja me 4 për qind, që ka shpallur qeveria, në rastin e qytetit prek vetëm njërin nga dy zërat e pensionit, vetëm atë të pensionit minimal pa ndryshuar kompesimet. Kjo sipas zotit beqja bën që në total pagesa për pensionistët të mos rritet me 4 për qind, por vetëm 3.4%.

“Realisht shtesa është 445 lekë. Për të qenë shtesa të paktën 4.3% duhet të ishte 571 lekë në muaj. Pra çdo pensionisti për t’i ruajtur nivelin e jetesës së vitit të kaluar, pa bërë asnjë përpjekje për t’ia përmirësuar asnjë qindarkë më shumë, duhet t’i jepnin edhe 127 lekë më shumë në muaj, pra i ka marrë 22%”, tha Beqja.

Por rritja më e ulët se sa inflacionin sipas partisë socialiste nuk është pika e vetme ku qeveria ka shkelur ligjin me pensionistët. Në vendimin e vitit 2006, thuhet se data e indeksimit të pensioneve është 1 maji i çdo viti dhe jo një korriku. Diferenca prej dy muajsh e thellon edhe me borxhin që qeveria u ka pensionistëve, vetëm për t’u indeksuar pagesën.

“Kemi rritje me 6 muaj me 3.4, ligjërisht duhet të kishim rritje për 8 muaj me 4.3%. Kjo e thellon akoma më shumë borxhin që për të zbatuar detyrimin ligjor dhe për të ruajtur fuqinë blerëse të parave të pensionit të vitit të kaluar hendeku deri në fund të vitit do të shkojë 1890 lekë për një pensionist, ose do të thotë për këtë vit 41% më pak se detyrimi ligjor për të ruajtur nivelin e jetesës të vitit të kaluar apo fuqinë blerëse të vitit kaluar”, tha Beqja.

Tre vitet e fundit, kriza e financave publike e ka detyruar qeverinë të ulë ritmin e rritjes së pensioneve. Këtë vit sipas Partisë Socialiste, rritja prej 4 për qind në qytet dhe 5 për qind në fshat është më e ulëta e dekadës së fundit.  

Top Channel