120 parti për Shqipërinë

18/06/2012 00:00

NDUE DEDAJ – Teksa viti zgjedhor 2013 është në prag, ethet për
pushtet të shumëkujt ndër ne janë shtuar, ku vetëm muajt e fundit janë
krijuar të paktën tri parti të reja, duke e çuar në 120 numrin e tyre,
shto këtu dhe lëvizjen e fundit Nano për rikthim në krye të PS-së.

Një studim i ditëve të fundit tregonte se shumë prej partiçkave, në zgjedhjet e fundit, nuk kishin marrë as një të pestën e 500 votave, aq sa iu ishin dashur për t’u legalizuar nga Ministria e Drejtësisë. Një ngarendje partiake e tillë është një “gjithëpërfshirje” politike marroke. Kaq shumë burra politikë që synojnë të na bëhen burra shteti. Po a ka vend politika e një vendi të vogël për një gjigandomani të tillë partiake? Dhe pastaj themi, jo po Amerika, gjithë ai supershtet, ka vetëm dy parti? Kujt ia thua, me dy le të rrinë amerikanët e “varfër” politikisht, kot nuk ka fshat e adet? Ne këndej duam parti për çdo lagje, e ku është e keqja! Ndoshta nuk është batutë që një zotëri e bëri partinë e tij në turravrap më shpejt se dikur kioskën për të mbajtur familjen. Dhe komedia vazhdon duke e stërpërdorur demokracinë, në emër të demokracisë. Duket se shqiptarët mund të rrinë dhe pa bukë e ujë, por jo pa politikë. Kush nuk bëri sprova në këto 22 vjet për t’u bërë në një mënyrë apo në një tjetër “politikan”. “Pse do që të futesh në parti”, e patën pyetur një djalosh në kohën kur punëtorët dhe proletarët anëtarësoheshin me duzina, kurse intelektualët vetëm në masën 1 për qind. “Po ja, që të përfitoj dhe unë ndonjë gjë, të bëhem brigadier”, kishte qenë përgjigjja.

Delir-pragmatizmi politik sot nuk paska të sosur dhe nuk qenka sëmundje vetëm për pesëqind a një mijë vetë në Tiranë, po dhe për shumë shqiptarë të tjerë, që vdesin për t’u bërë “pak” deputet dhe shohin ëndrra me mandatin e “florinjtë” në xhepin e setrës. Nuk kanë faj këta aspirantë të përjetshëm kuvendçorë, kur shohin se kush ka qenë deri tash në Parlament nga mëhalla e tyre dhe se kush është ende aty me e pa diploma… me e pa integritet. Kjo si duket ka hapur oreksin dhe për mijëra shqiptarë të tjerë karrieristë pa dy gramë dije për t’u bërë këshilltarë bashkiakë e komunarë, kryepleq të fshatrave, shpesh duke bërë shamatë për të kapur kreun e katundit. Deliri politik ngjan i pashmangshëm, nga i pari i fshatit tek i pari i shtetit. Gjithkush mund të bëhet kryeplak një ditë, po me gjasë gjithkush mund t’u bëhet dhe President i Republikës! Është padyshim politika delirante e të mëdhenjve që ka krijuar idenë e gabuar se kreu i shtetit shqiptar mund të jetë çdo politikan i “dorës së dytë”, këshilltar, gjyqtar, publicist, diplomat i këtij vendi, pse jo dhe anonim. Deri para pak ditësh, a nuk bëheshin lista me dhjetëra kandidatura të “mundshme” për president? Dhe dorëheqjet vinin vetëm atëherë kur shihej se nuk mund të ndodhte mrekullia nga “hiçi”. Është e habitshme se si pas kaq shumë vitesh pluralizëm politik, njerëzit ende kërkojnë “punësim” në politikë, më shumë se përmes konkurrimit, me anë të njohjeve, aferave, shërbesave klanore, militantizmit partiak apo nepotik. Vetëm në një provincë të prapambetur, njerëzit nuk e gjejnë veten sipas ligjeve të civilizimit, por sipas mendësisë së agait. Mundet, pra, bash për këtë, nuk ka një fjalë në shqipen tonë, që ta shenjëzojë këtë maskaradë deliresh. Deliri kësisoj është dehje me “mushtin” e vetvetes, marramendje vetanake, ëndërritje individualiste, madhështi e rrejshme e unit, të bërit e dikujt jerm pas diçkaje joshëse, thënë ndryshe, të jermosh e tallazitesh pas vetes politike, mediatike, autoreklamuese.

Deliri i madhështisë (përndryshe pragmatizëm politik elektoral) është i prekshëm dhe në panoramën administrative-territoriale kombëtare, ku 28 mijë kilometra katrore janë ndarë në 308 komuna e 65 bashki, në 140 mandate parlamentare, kur në rastin e njësive vendore do të mjaftonte mbase një e treta dhe atë të deputetëve, gjysma e tyre. Vetëm kabineti qeveritar me 15 ministri është bindës për nga numri i portofolave, po jo dhe për postet e zëvendësministrave, deri në katër të tillë në një ministri, si ajo e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Ka një delir ndër shqiptarë, jo vetëm te baballarët e politikës e parlamentarizmit. Një madhështi butaforike në gjithçka. Ndryshe si mund të shpjegohet që kemi jo vetëm kaq shumë parti minore, jo pak sosh vetëm de jure, por dhe aq shumë sipërmarrje private publike, ndër të tjera, mbi 70 kanale televizive e 25 gazeta e revista, rreth 1300 tituj librash në vit, shkruar nga gjithkush e nga askush. 47 shkolla të larta private dhe nja 15 a më shumë universitete shtetërore. Po dhe nja treqind shoqata të llojllojshme. Një pafundësi “qytetarësh nderi”, ngado lokaliteteve të republikës, si dhe dekoratash e medaljesh të larta presidenciale, veçanërisht muajt e fundit. Sa duken pak 400 heronj të popullit e të punës socialiste të regjimit komunist në pesëdhjetë vjet. Një bilanc që do t’i kishte hije ndonjë shteti 300 milionësh, po jo neve, një “grushti” njerëzish. A keni parë si zihen dy selitë kryesore për mitingjet. Ju kishit kaq mijë (më pak), ne kishim kaq mijë (më shumë). Mitingashë, është fjala. Tubime politike me shifra marramendëse njerëzish në delir, kurse protestat qytetare për hallet e komunitetit, me pikatore, dhe vetëm nga pak vetë. Ngjajmë të pangopur me lavdi, duk, karshillëk, “sfidim” të tjetrit, një stil i ri paranojak që po zë vend në ligjërimin e disa VIP-ave të politikës, me shprehje të tipit, “unë të sfidoj ty”, “unë iu sfidoj ju”, si me thënë “iu mund!”

Se ç’psikologji kanë delirantët, e dinë të gjithë. Përpiqen të manipulojnë opinionin publik, ta sugjestionojnë me atë çfarë ata (s’)janë dhe shpesh ia arrijnë, pasi ende publiku ynë ka preferim për tipin e drejtuesit me dorë të fortë, kinse si vendosës i rregullit e disiplinës, teksa në thelb ky është një stereotip bajraktarist i kryetarit, sekretarit, drejtorit, titullarit nursez, mospërfillës, mizantrop, batutaxhi, që vete jo përtokë, por kaluar. Nuk është i rastit njëlloj kompleksi të drejtuesit e rangjeve të ndryshme, kur ai që vjen, të parën gjë që (zh)bën, prish disa gjëra të dukshme të drejtuesit paraardhës, si shenjë e një provincializmi të pandreqshëm. E vëren këtë dhe te një shef qeverie, që për të dalluar nga i mëparshmi, ndërron vendqëndrimin e tij në sallën e mbledhjeve të kabinetit qeveritar, një ministër, prefekt, kryetar bashkie e gjer menaxheri i shkollës, spitalit, se ky i riu ka hipur në fron për të bërë “reformë” dhe jo llafe. Në vend që i ardhuri rishtas të bëjë vetë diçka të re, të mirë, të denjë, si me thënë të lërë dhe ai emrin e vet në atë institucion. Ky është një problem i hershëm mes para- dhe pas-ardhësve të zyrave e kancelarive, pasi po kaq i pakënaqur është dhe ai që iku me atë që i zuri vendin, sikur ai posti të kishte qenë i taksur vetëm për atë, dorëzuesin, që ikjen nga posti e përjeton si një fatalitet.

Është kaq i tejkaluar ky protagonizëm negativ i trashëguar nga e kaluara qeverisëse shqiptare e stilit komandues. Edhe kur nuk është domosdoshmërisht i lidhur me pushtetin. Pra dhe atëherë kur ngjan me një “luk” modern e bëhet nga njerëz të rinj të foltoreve të shumta, që venë përpjetë jo aq prej profesionalizmit, se sa prej protagonizmit. Janë të rrallë ata mëtues të opinionit publik që miellin e diskutimeve të tyre e gjejnë atje ku Shqipëria nuk ka fytyrën e shkëlqimit urban, por është e mbytur nga varfëria dhe braktisja sociale, pavarësisht përbetimit për të kundërtën.

Gazeta “Shqip”

Top Channel