“S’ka sinjale pozitive per statusin”

12/06/2012 19:30

Zgjedhja e presidentit ishte një test i rëndësishëm për Shqipërinë dhe tashmë kemi një president pa miratimin e opozitës, pra në respekt të gërmës, por jo të frymës së kushtetutës.

Nga Brukseli, Peter Stano, zëdhënësi i komisionerit të BE-së për integrimin, Stefan Fules, iu përgjigj pyetjeve të korrespondenes së “Top-Channel”, Arta Tozajt.

TCH – A dështoi testi i radhës për Shqipërinë dhe a përbën ky një shans tjetër të humbur?

Stano – ”Ne vërejtëm zgjedhjen e Presidentit të Republikës dhe mund të përsëris së e kemi ndjekur gjithë këtë proces në mënyrë të tërësishme dhe nga shumë pranë. Dhe ne vijojmë të ndjekim nga shumë pranë situatën e përgjitshme politike në Shqipëri”.

TCH – A do të ndikojë ky proces në vlerësimin e vjeshtës nga Komisioni dhe a ndodhet Shqipëria sot më pranë BE-së?

Stano – “Siç e dini vlerësimi ynë bëhet në vjeshtë, në muajin tetor. Por, unë mund t’iu them se në këtë moment është e vështirë të shohësh sinjale pozitive dhe momente pozitive që do ta çonin vendin, udhëheqësit politikë dhe popullin më pranë hapit tjetër të procesin e integrimit”.

TCH – Eduard Kukan nga Parlamenti Europian e vlerësoi si një shans tjetër të humbur. Kjo zgjedhje nuk ndihmoi ndërkohë kapërcimin e dallimeve mes partive politike në Shqipëri. A është edhe për një ju një shans tjetër i humbur, siç thotë edhe Parlamenti?

Stano – “Nuk më takon mua të komentoj deklaratën e kryetarit të delegacionit të Parlamentit Europian për marrëdhëniet me Shqipërinë, por mendoj se deklarata e tij flet shumë qartë dhe mendoj se edhe unë fola shumë qartë për procesin në të gjitha përgjigjet dhe nuk do të shtoj asgjë më shumë”.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel