Të dielën në mbrëmje, teksa të gjithë sytë ishin drejtuar nga kryesia e Kuvendit, thuajse në të njëjtën kohë që Berisha dhe Rama takoheshin dhe dhjetra kamera e gazetarë prisnin rezultatin e takimit, jo rastësisht ambasadori amerikan Alexander Arvizu kishte planifikuar një tjetër takim, jo më pak të rëndësishëm, larg syve të mediave dhe me të përjashtuarin e madh të takimit PD-PS, kreun e LSI, Ilir Meta.

Një takim që duket se synonte të nxiste palët për të dalë nga llogoret ku ishin ngujuar dhe për të gjetur një konsensus për presidentin e ri të Republikës.

Top Channel mësoi se në këtë takim kishte dalë emri i guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Por historia e Fullanit do të mbyllej pak orë më vonë. Edi Rama, sipas burimeve të selisë rozë, e refuzoi kategorikisht të hënën përkrahjen e opozitës për guvernatorin si president.

Socialistët e nuk e kanë fshehur kundërshtinë për të edhe pak  muaj më parë kur e votuan kundër edhe si guvernator, pa llogaritur arsye të tjera politike dhe jo politike.

Pas djegies së raundit të dytë të hënën, gjithçka do të niste nga e para. Të hënën në mbrëmje ambasadori Arvizu u takua në zonën e Bllokut, në zemër të Tiranës, me Ben Blushin, një nga njerëzit më të afërt të Edi Ramës në këto negociata.

Me sa duket, socialistët po kërkonin angazhimin e diplomatit amerikan në një negociatë me palën tjetër që të prodhonte një zgjidhje të kënaqshme për të gjithë.

Negociata, që duket se nisën të martën paradite, larg syve të publikut dhe medias. Sic Top Channel mësoi nga burime të besueshme, kreu socialist Edi Rama ka zhvilluar në mëngjes një takim me ambasadorin Arvizu, atje ku mediat nuk mund të hynin dhe nuk mund të shihin. Makina e liderit të opozitës ka hyrë në kompleksin e vilave të ambasadës amerikane, duke u ndalur përpara shtëpisë së ambasadorit.

Për rreth një orë, Rama dhe Arvizu kanë diskutuar për mënyrat se si mund të arrihet zgjidhja. Lideri socialist, sic i thanë Top Channel burime pranë selisë rozë, i ka qëndruar deklaratave se mazhoranca duhej të tërhiqte kandidatin e saj, për t’i dhënë udhë një procesi tjetër, ku opozita angazhohej për të dhënë konsensus, nëse mazhoranca do të propozonte emra të tjerë.

Duket se ky takim me Edi Ramën ka cuar në një tjetër takim, atë të Arvizut me Ilir Metën. Edhe ky takim është zhvilluar në fshehtësi të plotë, ndoshta edhe ky në kompleksin e vilave amerikane. Nuk dihet në detaje përmbajtja e takimit mes të dyve, por Meta dhe Arvizu kanë folur mbi rrugët e zgjidhjes së ngercit, mënyrat se si mund të arrihet një kompromis mes të tre aktorëve politikë, Rama, Berisha dhe vetë Meta.

Takimi ka bërë që vetë Ambasadori të mbërrinte pak me vonesë në pritjen zyrtare të Ambasadës Italiane me rastin e festës kombëtare, e ku ambasadori nuk mundi të takojë formalisht as Ramën dhe as Berishën, të cilet ishin larguar para tij. Por xhiroja e takimeve të Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara nuk duket se do të mbyllej me kaq.

Të martën në mbrëmje kadillaku i tij është parë të hyjë në godinën e kryeministrisë, në një takim të tretë, këtë radhë me kryeministrin Berisha. Makina është larguar pas rreth 90 minutash, ndërsa nga zyra e kryeministrit nuk kanë rrjedhur shumë informacione mbi brendinë e bisedës mes të dyve.

Ajo që dihet për momentin është se megjithëse këto negociata nuk kanë prodhuar një zgjidhje të dukshme, palët tashmë e kanë të qartë që nëse kërkohet një zgjidhje konsensuale, ato duhet të tërhiqen nga pozicionet aktuale.

Mazhoranca këmbëngul në kandidaturën e Xhezair Zaganjorit, ndërsa opozita këmbëngul në tërheqjen e tij prej mazhorancës. Në këtë rast, opozita do të ishte e gatshme të jepte konsensus për një emër tjetër mes propozimeve të mazhorancës.

Skenari tjetër, këmbëngulja e shumicës për të vijuar edhe në raundin e tretë, do të sillte më shumë gjasa votimin e zotit Zaganjori në raundin e katërt. Në këtë rast, zgjedhja e tij do të ishte kushtetuese, do të pranohej nga ndërkombëtarët, po prej tyre procesi nuk do të quhej konsensual. Dhe rrjedhojat e tjera, me shumë gjasa sipas ndërkombëtarëve do të shiheshin në vjeshtë, me rrezikun për mosmarrjen sërish të statusit të vendit kandidat.

Top Channel