Ç’do të thotë president konsensual?

25/04/2012 00:00

Andrea Stefani – Afrimi i datës së zgjedhjes së Presidentit të Republikës ka shtuar më
shumë zërat për nevojën e gjetjes së një kandidati konsensual.

Por nuk kanë munguar as zërat dhe qëndrimet që e kundërshtojnë një nevojë të tillë. Kështu, Kryeministri Berisha këmbëngul se në postin e kryetarit të shtetit duhet të ngjitet një kandidat i dalë nga PD. Ndërkaq, të tjerë, madje edhe nga ndërkombëtarët, kanë pohuar se nuk e kuptojnë se ç’do të thotë një figurë konsensuale për President.

* * *

Kërkesa për një President konsensual nuk është e pakuptimtë pra dhe as e kotë. Madje mund të thuhet se mungesa e konsensusit për Presidentin ka qenë burim i jo pak fërkimeve. Gabimi bëhet kur disa forcat politike dhe disa diplomatë të huaj orvaten ta gjejnë konsensusin mes palëve te zbulimi i një kandidati që pëlqehet nga të gjithë. Sipas tyre, ky person duhet të jetë mishërimi i gjallë i konsensusit. Mjafton të gjendet ai dhe kriza që po afron shmanget si me magji! Një utopi që lind ngase besohet se mosmarrëveshja mes forcave politike për Presidentin është mosmarrëveshje për personin. Në fakt, nuk është fare kështu. Bërthama e krizës politike duhet kërkuar te qëllimi politik që kanë partitë. Nëse ato kanë qëllime politike që nuk përputhen në asnjë pikë, atëherë edhe konsensusi mes tyre është i pamundur ndërsa konflikti i garantuar. Konsensusi, nga vetë fjala, kuptohet që është bashkëndjerje. Që të ketë konsensus në politikë, kërkohet që partitë dhe lidershipet e tyre të kenë një ndjenjë të përbashkët, një synim të përbashkët për diçka. Nuk mund të ketë konsensus mes partive apo liderëve synimet e të cilëve nuk takohen në asnjë pikë. Në një rast të tillë, sikundër thotë Sartori, partitë do konfliktohen për çdo konflikt.

* * *

Që partitë politike të mos konfliktohen për Presidentin duhet të kenë të paktën një qëllim të përbashkët që është ndërtimi i një shteti demokratik-liberal në Shqipëri. Gjë që nga ana e vet nënkupton ndarjen e pushteteve dhe jo përqendrimin në të njëjtën dorë. Nëse partitë kanë këtë qëllim të përbashkët ato do të këmbëngulin të emërohet një President mbi palët i varur vetëm nga Kushtetuta e vendit. Madje do luftojnë të hartojnë procedura të zgjedhjeve që do ta bënin shumë të vështirë zgjedhjen e një Presidenti partiak. Nuk është fare e vështirë të gjendet një kandidaturë e lirë nëse asnjëra nga partitë nuk ka synim që të emërojë President një “skuth” të vetin. Ky nuk është rasti shqiptar ku është e qartë se mazhoranca qeverisëse dhe Kryeministri i saj nuk e fsheh dot epshin autokratik për të futur nën kthetra postin e Presidentit. Në të kundërt, opozita politike është shprehur kundër një ambicieje të tillë të Berishës. Pa hyrë në analizë se përse opozita ka adaptuar një qëndrim të tillë, duhet thënë se ai është më në harmoni me qëllimin strategjik të ndërtimit të demokracisë në Shqipëri dhe integrimin e saj në Europë. Mjafton të theksojmë se një nga sfidat e integrimit që kemi përpara është pavarësimi i gjyqësorit, gjë që nuk mund të arrihet nëse në postin e Presidentit (që është dhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë) do të caktohet një njeri i qeverisë apo i Kryeministrit.

* * *

Pra duam apo s’duam, beteja për Presidentin është një përplasje mes tendencës autokratike në kokë të qeverisë që tenton kapjen e gjithë pushteteve dhe obstruktimin e procesit demokratik (pra dhe të integrimit) dhe përpjekjes së opozitës për të mos lejuar që pushteti ta arrijë një objektiv të tillë autokratik. Të mbështetësh qeverinë dhe Berishën që të zgjedhin një delfin të tyrin në postin e Presidentit do të thotë të marrësh anën e autokratizmit kundër demokracisë dhe lirisë ndërsa të pengosh realizimin e një synimi të tillë duke promovuar një kandidaturë të lirë nga gravitacioni i pushtetit do të thotë të mbash hapur shanset për ardhmërinë europiane të Shqipërisë. Rrugë të mesme, konsensus, mes këtyre tendencave nuk ka. Ose do triumfojë demokracia-liberalkushtetuese e tipit perëndimore me ndarje pushtetesh, ose do triumfojë demokracia autokratike e tipit otomano-lindor me përqendrim pushtetesh në duart e Kryeministrit.

Gazeta “Shqip”

Top Channel