Privatizimi i “Albpetrol”-it, taksirati i radhës…

16/04/2012 00:00

Leonard Boduri – Pas disa muajsh të mbushur me diskutime thellësisht politike, me
miratimin e ligjit të privatizimit të “Albpetrol”-it në Kuvendin e
Shqipërisë u vendos shitja e 100% të aseteve të kompanisë publike,
përfshi edhe disa të drejta të tjera për zbulimin e burimeve të reja të
pashfrytëzuara.

Marrëveshja do të lidhet për shumë puse të naftës, për puset e gazit në pronësi të “Albeptrol” dhe një listë të bardhë C, por sipas ministrit të METE-s duhet të jemi të qetë, pasi këtu nuk ka asnjë hile dhe ato që privatizohen janë asetet e “Albpetrol” sh.a., uzina Kuçovë, Patos, tubacione nëntokësore, ofiçina në Lushnjë dhe çdo gjë nëntokë apo mbitokë e trupëzuar. Si zakonisht, zërat e mekur opozitarë janë mjaftuar me një refren të njohur akuzash se me këtë proces po kryhet një nga aferat korruptive më të mëdha në historinë e vendit, pa bërë një analizë të mirëfilltë dhe pa dhënë argumente që të mbështesin tezën e tyre. Shpeshherë krijohet përshtypja se shqetësimi i opozitarëve shqiptarë lidhet më shumë me pamundësinë e tyre për t’i kryer ata vetë aferat korruptive, sesa me abuzimin që kryhet me pasuritë publike.

Është për të ardhur keq që argumentimi parësor i z. Naço, ministrit përgjegjës për të mbrojtur formulën e privatizimit, lidhet me justifikimin e çuditshëm për përfshirjen e opozitës së tanishme dhe përgjegjësinë e saj në këtë proces, duke pretenduar se në 1998-n, atëherë në mazhorancë, kanë miratuar ligjin për privatizimin e sektorit strategjik. Ligjet që mundësojnë paligjshmëri të tilla nuk vlejnë për asgjë, por vetëm për të ofruar formula që nuk mund të shihen si forma më e mirë e shfrytëzimit të pasurive kombëtare, por si një rrugë tjetër që kërkon të ndjekë me fanatizëm gabimet e së shkuarës. Me përkëdheli i quajmë gabime, pasi në të vërtetë ato janë afera spektakolare që kanë pjellë sa majtas-djathtas milionerë. Në mungesë të vullnetit për të marrë maksimumin e mundshëm për të mirën publike, edhe në rast të kontraktimit të kompanive konsulente të specializuara për të garantuar “paanësinë” dhe një ekspertizë të përshtatshme, rezultati ka qenë i njëjtë. Natyrshëm edhe konsulentët “kanë bërë detyrën”, duke iu bindur rregullave të lojës dhe duke hartuar “formula privatizimi me porosi”.

Në këto kushte, nëpërmjet një analize të thjeshtë ekonomike mund të kuptojmë nëse formula e ofruar nëpërmjet këtij ligji është në përputhje me kushtet e tregut dhe pritshmëritë e zhvillimeve ekonomike në këtë sektor. Pyetja që duhet t’i përgjigjemi është se cila do të ishte vlera e shitjes së “Albpetrol” sh.a. nëse do të zotërohej nga duar private, në vend të përfaqësuesve të përkohshëm shtetërorë? Nuk duhet të harrojmë se si “u fal” “Albtelekom” sh.a., për një vlerë rreth 120 milionë euro, kur përmes një procesi privatizimi, edhe ai në fakt i akuzuar për korrupsion, për “Telekomin” e Malit të Zi u arrit të arkëtoheshin rreth 140 milionë euro. Siç dihet popullsia e Malit të Zi është rreth 4 herë më e vogël se ajo e Shqipërisë, e cila ka një vlerë të shtuar në industrinë e telekomunikacionit për shkak të një numri të madh të emigrantëve në raport me numrin e popullsisë. E megjithatë qeveria jonë, në atë kohë e përfaqësuar nga të majtët, nuk arkëtoi një vlerë 4 herë më të madhe, por 20 milionë euro më pak se qeveria e Malit të Zi. Në të njëjtën logjikë mendojmë se është e nevojshme të sqarojmë se në privatizimin e “Albpetrol” sh.a. janë të rëndësishëm dy elementë themelorë: vlera në sasi e rezervës nëntokësore dhe vlera aktuale e të ardhurave të pritshme.

Nga të dyja palët vendimmarrëse në vend pranohet se me anë të këtij privatizimi kemi të bëjmë me dhënien e së drejtës së shfrytëzimit të vendburimit më të madh në Europën Kontinentale, atë të Patos-Marinzës, i cili mendohet se ka edhe 30 milionë tonë rezerva nafte të nxjerrshme. Nëse marrim në analizë formulën e propozuar nga METE për privatizimin e “Albpetrol”, qeveria shqiptare, përveç vlerës së privatizimit, përfiton nga 1 deri në 5% të prodhimit në rastin më të mirë, në varësi të eficencës (faktori “R”) si rezultat i të ardhurave pjesëtuar me shpenzimet. Zakonisht në vende me njëfarë niveli të organizimit shtetëror, operimi në kushte të ngjashme në këtë industri fitimet midis autoriteteve shtetërore dhe kompanive të kontraktuara ndahen në masë të barabartë 50 për qind me 50 për qind dhe një vend dytësor zë negocimi për vlerën e privatizimit të aseteve që mund të arkëtohet menjëherë. Kompromisi duhet të gjendet midis këtij përfitimi të padiskutueshëm dhe afatgjatë për arkën shtetërore dhe vlerës më të lartë aktuale të ofruar për kryerjen e privatizimit.

Logjika e privatizimit është e thjeshtë: për shkak të pamundësisë për të mirëmenaxhuar këtë kompani dhe për të bërë investime efektive, qeveria shqiptare ka vendosur ta nxjerrë në shitje. Problemi qëndron në formulën e përzgjedhur që, përveç një shume që “synon” të kapë vlerën e rreth 400 milionë dollarëve, pjesa tjetër e marrëveshjes ofron nga 1 deri në 5 për qind të produktit të nxjerrë nga nëntoka për një periudhë 25-vjeçare. Strategjia e miratuar mund të kuptohet vetëm si një ankand i nxituar, i cili pasi të sigurojë disa të ardhura financiare momentale para një viti elektoral, na sugjeron që në 25 vitet e ardhshme të ngrohemi në diell. “Albpetrol” sh.a. ruan të drejtën e shfrytëzimit të një rezerve prej 30 milionë tonësh naftë, vlera aktuale e së cilës (net present value), pa marrë parasysh tendencën për rritje të çmimit të hidrokarbureve, mund të përkthehet në rreth 15 miliardë dollarë. Formula e miratuar, e cila nuk synon as 2.5 për qind të vlerës reale, është duke ndjekur shembujt e plaçkitjeve të pasurive publike, në privatizimet e AMC-së, “Albtelekom” sh.a., bankave shtetërore të nivelit të dytë që kanë vërtetuar se me ndryshimin e menaxhimit, brenda një periudhe 1-2-vjeçare kanë shlyer plotësisht vlerën qesharake të blerjes. Është përsëritur shpesh kohët e fundit se e drejta publike nuk mund të zhduket. Shumë vjet të mbushura me korrupsion dhe padrejtësi nuk mund të përbëjnë një “të drejtë” edhe në qoftë se padrejtësia është quajtur sukses, por privatizimi “i suksesshëm” “Albpetrol” sh.a., për fat të keq, do të jetë vetëm taksirati i radhës në vazhdën e ligjeve të “faljes” së një malli pa zot…

Gazeta “Shqip”

Top Channel