Lëvizjet e fundit në politikën e jashtme të zotit Berisha

12/04/2012 00:00

Maklen Misha – Diçka po lëviz në politikën e jashtme shqiptare. Ose për të qenë të
saktë, duhet thënë se, diçka duket se po lëviz në politikën e jashtme të
Sali Berishës, sepse si çdo gjë tjetër në qeverisjen e këtij vendi,
edhe për politikën e jashtme të krijohet përshtypja se më shumë se
produkt i konsensusit apo interesave kombëtare ajo është thjesht një
pasqyrim i interesave politike dhe personale të Kryeministrit.

Gjatë muajve të fundit, përballë asaj që duket si një ftohje e marrëdhënieve me Bashkimin Europian dhe vendet e tij anëtare, përballë mundësisë reale se mund të dështojë për herë të tretë me marrjen e statusit të vendit kandidat duke marrë edhe barrën e përgjegjësive politike për këtë dështim, përballë presionit për përmbushjen e reformave dhe arritjen e standardeve demokratike në Shqipëri të krijohet përshtypja se Kryeministri ka filluar të investohet në një projekt që synon ripozicionimin strategjik të Shqipërisë. Vizita në Hungari dhe ajo në Azerbajxhan ishin veç shenjat e para që të shtynin të mendoje se zoti Berisha ka filluar të kërkojë partnerë më të rehatshëm, marrëdhëniet me të cilët mund të fokusohen thjesht e vetëm në çështje ekonomike e biznesi, pa futur hundët në punën e shoshoqit për çështje të sikletshme siç janë demokracia, liria e medias, zgjedhjet me standarde e të tjera me radhë. Mjafton të kujtojmë në këtë kontekst avokatinë që i bënte më 7 prill gazeta “Rilindja Demokratike” Kryeministrit Orban; një avokati që në thelb të saj përbënte një sulm të ashpër kundër Komisionit Europian dhe Brukselit, të cilët akuzoheshin për mungesë koherence dhe korrektësie politike në qëndrimet ndaj Orbanit, për një diskriminim të së djathtës hungareze për shkak të preferencave të tyre për të majtën ish-komuniste, apo dhe për një “përdorim shantazhues” të fondeve europiane të kohezionit, si një armë presioni politik ndaj vendeve ish-komuniste të “periferisë” të BE.

Por pa dyshim, ajo që të krijon dyshimet më të forta se zoti Berisha po investohet për një qasje të re në politikën e jashtme ishin deklaratat që ai dha gjatë vizitës në Turqi dhe në lidhje me vizitën në Turqi. Së pari, me mbrojtjen që i bëri idesë së lidhjeve të gjakut mes popullit turk dhe shqiptar, si dhe me argumentin se në Turqi jetojnë më shumë shqiptarë se në mbarë Ballkanin, Kryeministri nuk mund të mos ta ketë ditur se po përqafonte një prej tezave kryesore mbi të cilën ngrihet projekti neo-otomanist i politikës së jashtme turke; projekt, i cili ndër të tjera, synon futjen e Turqisë në territoret e dikurshme ballkanike të Perandorisë Otomane si një alternativë ndaj projektit integrues të BE. Edhe më konkrete akoma ishin dy vendimet që shpalli Kryeministri gjatë takimeve të tij me Kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm turk: Shqipëria do të mbështesë kandidaturën e Turqisë në Këshillin e Sigurimit të OKB dhe Shqipëria do të përfaqësohet nga konsullatat turke në ato vende ku nuk ka përfaqësi të saj diplomatike. Sërish, zoti Berisha nuk mund të mos ta ketë ditur se të dyja këto vendime ka shumë gjasa të shihen nga BE si një sfidë – mjafton të kujtojmë acarimin me të cilin u prit vetëm pak vjet më parë ideja e përfaqësimit të Shqipërisë nga konsullatat turke nga një prej partnerëve kryesorë të Shqipërisë në BE, apo situatën e vështirë në të cilën e gjeti veten qeveria e atëhershme socialiste si pasojë e mbështetjes së kandidaturës së një tjetër vendi të rëndësishëm të BE për Këshillin e Sigurimit. Atëherë shtrohet pyetja: si do ta presin vallë këto vende, me pozita dominuese në BE, për të mos folur pastaj për vende të tjera si Anglia apo Franca, të cilat nuk e kanë fort për zemër zgjerimin e Këshillit të Sigurimit me anëtarë të rinj, mbështetjen shqiptare për Turqinë? Si do të reagojnë ato?

Teorikisht, ekziston mundësia që të gjitha hamendjet e mësipërme të mos jenë asgjë më tepër se kaq. Pra thjesht hamendje. Ekziston po ashtu mundësia që zoti Berisha ta ketë konceptuar këtë lëvizje në politikën e jashtme si një instrument për të rritur presionin ndaj BE që kjo e fundit të mbyllë njërin sy e t’i lërë atij dorë të lirë në politikën e brendshme. Me pak fjalë, teorikisht, është e mundur që zoti Berisha po përpiqet të luajë me dy porta, siç ka bërë deri diku me sukses Serbia duke mos humbur rast për t’i kujtuar BE se, nëse ajo nuk e do, ekziston gjithnjë opsioni rus. Por përtej politikës së jashtme kjo lëvizje e zotit Berisha nuk paralajmëron asgjë të mirë për situatën politike në Shqipëri. Racionalja që në vështrimin e zotit Berisha justifikon këtë tensionim potencial të marrëdhënieve me vende anëtare të BE dhe kostot që ky tensionim mund t’i sjellë perspektivës europiane të Shqipërisë është mjaft shqetësuese. Duke u përpjekur të gjejë partnerë alternativë dhe më të gatshëm të mbyllin sytë e veshët përballë autoritarizmit në rritje, korrupsionit, asfiksimit të lirisë së medias dhe pavarësisë së institucioneve, mungesës së vullnetit për reforma apo bashkëpunim me opozitën, shkatërrimit të drejtësisë apo dështimit të radhës për të mbajtur zgjedhje të lira e të ndershme, zoti Berisha praktikisht po dërgon një sinjal të qartë se ai nuk ka ndërmend të ndryshojë. Në fakt, që zoti Berisha nuk ka ndërmend të ndryshojë kjo është e qartë edhe pa u futur në analiza të politikës së tij të jashtme. Mjafton të përmendim këtu sesi ai po e kërkon sherrin me qiri e në shkelje të plotë e flagrante të ligjit në rastin e të ashtuquajturit mandati Seseri, refuzimin arrogant për të kërkuar konsensusin për zgjedhjen e Presidentit apo njëmijë e një pengesat që po i nxjerr reformës elektorale e asaj parlamentare. Por këto përpjekje, ende tentativë, por gjithnjë e më energjike, që duket se synojnë të krijojnë një kundërpeshë diplomatike ndaj BE, të shtyjnë të mendosh se ndoshta nuk e kemi marrë aq seriozisht sa duhet ta merrnim deklaratën e përsëritur të zotit Berisha se ai ka ndërmend të qëndrojë edhe për 30 vjet të tjera në pushtet. Qoftë edhe duke e braktisur projektin e integrimit europian të cilin pas liberalizimit të vizave gjithsesi nuk duket se e ka me shumë entuziazëm.

Gazeta “Shqip”

Top Channel